
Komisioni Europian përgatitet për “çfarëdolloj skenari” të kalimit të emigrantëve në Ballkanin Perëndimor.
“Përsa i takon bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, siç e dini, ne po punojmë fort për t’ia dalë, duke shmangur veprime të njëanshme, siç u diskutua dhe në Këshillin Europian, dhe roli i Komisionit, në këtë rast, është të ndërmjetësojë dialogun dhe të sigurojë se ne jemi të përgatitur për çfarëdo lloj skenari”, ka deklaruar zëdhënësja Natasha Betraud.
Ndërsa vë në pikëpyetje vendimin e Hungarisë për mbajtjen e një referendumi mbi kuotat e pajtuara mes vendeve anëtare për refugjatët, Komisioni vlerëson ndërhyrjen e NATOs në Egje, ndërkohë që kërkon më shumë sqarime nga Belgjika për rivendosjen e kontrollit të përkohshëm kufitar me Francën, një masë që, sipas autoriteteve belge, synon të bllokojë kalimin e emigrantëve nga kampi i Calais.
“Belgjika na ka lajmëruar për rivendosjen e përkohshme të kontrollit kufitar, sipas nenit 24 të Kodit kufitar Shengen. Komisioni do të verifikojë, ashtu si për rastet e tjera, nevojën proporcionale për këtë masë dhe do të jap vlerësimin. Për momentin, nuk kemi ende një vlerësim paraprak, pasi për këtë, kemi kërkuar nga autoritetet belge disa sqarime të mëtejshme, ndërkohë që nuk kemi marrë njoftime nga shtete të tjera anëtare”, ka thënë Betraud.
E nënshkruar 30 vite më parë, marrëveshja për zonën Shengen numëron sot 26 shtete anëtare, ndër të cilat 22 vende anëtare të Unionit, plus Zvicra, Liechtenstein, Norvegjia dhe Islanda.
Sipas një studimi të publikuar së fundmi nga fondacioni gjerman Bertelsmann, rivendosja e kontrolleve kufitare duke i dhënë fund zonës së lirë Schengen, i kushton gjatë kësaj dekade Bashkimit Europian 470 miliard euro, në rastin më të mirë, dhe 1.4 trilion euro në skenarin më të keq, çfarë përbën 10% të GDPsë vjetore të 28 vendeve anëtare të Unionit.
Studimi i referohet çmimeve të importit dhe përcakton Francën, me 244 miliard euro, dhe Gjermaninë, me 235 miliard euro, si dy ekonomitë më të dëmtuara të bllokut nga kolapsi i Shengenit, për periudhën kohore deri në vitin 2025.
Top Channel