Për Bernd Riegert-in e “Deutche Welle”-s, Konferenca e Ballkanit në Vjenë, mbajtur pa hallkën e parë e atë të fundit të zinxhirit të itinerarit ballkanik, pra pa Greqinë dhe Gjermaninë, tregon para së gjithash se blloku europian ka dështuar në krizën e refugjatëve.
“Çdo shtet i BE-së mendon vetëm për interesat vetjake dhe përpiqet të trembë emigrantët”, thotë Riegert, ndërsa shton plot tone pesimiste se “zgjidhja europiane” e kancelares Angela Merkel nuk ekziston më. Një zgjidhje e tillë, për analistin, nuk do të gjendet as në 7 mars në samitin BE-Turqi, vetëm po ndodhi ndonjë mrekulli e Turqia vendos të mbyllë kufirin me Greqinë dhe t’i mbajë vetë refugjatët dhe migrantët.
Riegert nuk e sheh zgjidhjen e këtij ngërçi tek mbyllja e kufijve. Kjo, sipas tij, do të rëndojë Greqinë e goditur ndërkohë prej një krize të thellë ekonomike dhe e paaftë të dalë e vetme nga kjo vorbull. Koalicioni Austri-Ballkan dhe pjesa e mbetur e BE-së rrezikojnë kësisoj ta çojnë Greqinë drejt një falimentimi të plotë e të shkaktojnë dhe një katastrofë të mundshme për refugjatët dhe emigrantët, shprehet ai.
Por një tjetër ekspert, Max Hoffman, thotë po për “DW” se fajin për këtë situatë Athina e ka vetë. Qeveria greke për një kohë shumë të gjatë s’ka bërë asgjë për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel, kujton ai. Qendrat e regjistrimit për refugjatët duhet të ishin gati me kohë. Është neglizhenca ajo që po ndëshkon sot Greqinë, e në këtë drejtim shton Hoffman, nuk ndihmon më as dëshpërimi i shprehur me tërheqjen e ambasadores në Vjenë.
Top Channel