Topalli: Opozita të qëndrojë fort me çdo kusht. Balla: Në shqyrtim vetëm propozimet për aktet nënligjore

25/02/2016 00:00

Opozita duhet të qëndrojë e fortë me çdo kusht e çdo çmim, është shprehur ish kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli pasi u mbyll seanca. Ajo është shprehur se situata është e rëndë, dhe “krimi dhe deputeti nuk mund të rrijnë bashkë në parlament”.

“Ka vetëm një fajtor dhe është Edi Rama. Situata është e rëndë, krimi dhe deputeti nuk mund të rijë bashkë në Parlament. Është një situatë e paimagjinueshme, një krizë e parlamentarizmit, një degradim, kemi arritur në një situatë në të cilën pyetja ‘Pse?’ nuk vlen më për kryeministrin aktual. Më kalon nëpër mend që është e pamundur që të rijë një njeri normal dhe krimi në Kuvend. Nga ana tjetër mendoj është më mirë të hedhësh mandatin apo të qëndrosh aty e të përballesh me krimin, këto janë dilema që i diskutojmë e i mendojmë. Opozita të qëndrojë fort me çdo kusht e me çdo çmim”, tha Topalli. Ajo është shprehur se lufta me krimin është luftë e vështirë dhe shumë komplekse.

Por menjëherë pas saj, deputeti socialist Taulant Balla tha se nga propozimet e PD-së do të shqyrtohen nga maxhoranca vetëm ato që kanë të bëjnë me aktet nënligjore për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Ndërsa mendimet për vetë ligjin që është sapomiratuar nuk pranohen fare nga maxhoranca.

“Nuk e pranojmë fare, fare. Porsa i përket projektakteve, ato me aktet nënligjore do i marrim në shqyrtim dhe sigurisht do t’i lexojmë me kujdes. Paraprakisht po ju them ka çështje që tejkalojnë prerogativa që ka përcaktuar ligji”, tha Balla.

Seanca mbyllet me tensione, miratohen vetëm nga maxhoranca dekretet e Nishanit

Seanca e kësaj të enjte në Kuvend është mbyllur vetëm me votimet e dekreteve të Presidentit për ndryshimet në qeveri.

Në sallën e Kuvendit ka pasur tensione me opozitën, e cila ka kërkuar miratimin sa më të shpjetë të akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Pas një pushimi 5 minutësh, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leska, ka kaluar për votim dekretet e presidentit, ku Shkëlqim Cani u shkarkua nga detyra me 74 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim. Ndërsa dy ministrant e rinj morën secili nga 77 vota pro.

Opozita ka qëndruar gjatë gjithë kohës në këmbë, pranë foltores, duke kërkuar kalimin në seancë të propozimit të tyre për dekriminalizimin.

Paloka-Ramës: Fute kriminelët në Parlament, tani zgjidh mes krimit dhe ligjit

Pas tërheqjes së alarmit për përdorimin e vezëve në seancë, Parlamenti i Shqipërisë ka nisur punimet. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, duke prekur çështjen e dekriminalizimit, e ka vënë theksin tek rasti i deputetit Armando Prenga.

“Rama i solli me shumicë kriminelët në Parlament. Deputeti i tij, Armando Prenga, qëlloi me armë në komisariatin e policisë. Ishte ky deputet që Rama e kishte zgjedhur pikërisht për bëmat e tij, sepse i duheshin votat në zgjedhjet parlamentare”, ka thënë Paloka.

Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se, e futi Prengën në Parlament dhe komisione parlamentare, ku deputeti ka ushtruar dhunë ndaj kolegëve dhe njëkohësisht e shpërbleu me lagunën e Patokut.

“Ndërsa kur nuk kishte nga t’ia mbante, Rama e detyroi të tërihqej”, ka thënë Paloka.

Ai e ka konsideruar si absurd kthimin e Prengës pak ditë më parë në punimet e komisionit të sigurisë kombëtare, në një kohë kur pritet të realizohet shkëputja e politikës nga krimi.

“Kjo është një ditë e rëndësishme. Kjo çështje mbyllet këtu. Ose votohet dekriminalizimi, ose vazhdohet me krimin. Votoni propozimet tona”, ka thënë Paloka duke iu drejtuar kryeministrit dhe deputetëve të mazhorancës.

Më tej, ai ka kërkuar që t’u hiqet mandati deputetëve Kokëdhima, Leskaj e Suli, që sipas tij kanë shkelur Kushtetutën, duke marrë konçesione përmes mandatit.

Duke marrë menjëherë fjalën, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ka vijuar me rendin e ditës, duke anashkaluar kërkesën e opozitës për votimin e akteve nënligjore për dekriminalizimin, veprim ky që ka sjellë dhe reagimin e deputetëve të PD, që janë mbledhur përpara folëses së Parlamentit.

Deputetja demokrate Jozefina Topalli, duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit dhe kryeministrit, i ka akuzuar ata për kriminalizimin e këtij institucioni.

“Ky parlament është kriminalizuar tërësisht. Nuk është faji i Armando Prengës pse ndodhet aty, por i atij që e futi në Parlament. Le të ulet Armando Prenga në vend të kryeministrit”, ka thënë Topalli. E gjendur në tension, kryetarja Leskaj ka dhënë 5 minuta pushim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta