Mbeturinat e qyteteve dhe fshatrave shqiptare që përfundojnë në det prej lumenjve janë kthyer në problem ndërkombëtar. Eurodeputetja kroate Dubravka Suica i është drejtuar me një letër ankese Komisionit Europian për mbetetjet shqiptare që rrymat detare i dërgojnë deri në plazhet e vendit të saj.
TCH: Zonja Suica, ju i jeni drejtuar Komisionit për të gjetur një zgjidhje europiane ndaj problemit të mbeturinave ndërkombëtare, që haset në brigjet kroate, me prejardhje, kryesisht, nga Shqipëria e Mali i Zi. Pse?
Dubravka Suica: Po, drejtë. Për fat të keq, çdo dimër përsëritet e njëjta gjë. Tonelata mbeturinash vinë prej jugut të Adriatikut, a nuk e di, por, sipas etiketave në mbetjet e produkteve, ne mund të vërejmë se mbeturinat vijnë nga Mali i Zi, Shqipëria, Greqia e madje edhe nga Turqia. Prandaj, pyetja ime, e dërguar me prioritet ndaj Komisionit Europian, është çfarë do të bëjmë? Disa prej këtyre vendeve janë anëtare të BEsë, si Greqia, ndërsa disa të tjera janë kandidate, si Shqipëria e Mali i Zi. Përderisa flasim për Strategjinë Adriatiko-Joniane, ku çështjet e mjedisit përbëjnë një prej kapitujve kryesor, argumenti im është si të mbajmë pastër detet tona. Këtë çështje e ngrita jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e lokalizuara në jug të Kroacisë. Rastet më të rënda janë shfaqur në gadishullin Peljesac, në Trstenik, si dhe përreth ishullit Mljet. Prandaj pyes se si mund ta zgjidhim, pasi 8 vende janë të orientuara nga deti Adriatik, mbase nuk jemi të gjithë anëtarë të BEsë, por tê gjithë, ne, duhet të kujdesemi për nivelin e mbrojtjes së mjedisit.
TCH: Duke marrë parasysh se ankesat e Kroacisë gjatë viteve të fundit, kanë ardhur, përgjithësisht, pak javë pas përmbytjeve, si mendoni se mund të ndërhyjë Komisioni për zgjidhje me anë të Strategjisë Adriatiko-Joniane, fondet IPA, apo ndihmën e emergjencës në rast përmbytjesh?
Dubravka Suica: Nëse jo Komisioni, atëherë Agjencia e Mjedisit. Dikush, në varësi të Komisionit Europian, apo Bashkimit Europian, për mua, duhet të ndërhyjë, ose vendet tona duhet të kujdesen për të mbrojtur ato nivele, që i kemi miratuar tashmë dhe prandaj, kam treguar dhe me foto si këtu.
TCH: Po, e shohim se kjo vjen nga Shqipëria…
Dubravka Suica: Po, por jo vetëm nga Shqipëria dhe brigjet tona duken kështu pastaj. Kjo vjen nga Greqia, mendoj.., por idea ime është ndërgjegjësimi publik për atë ç’po ndodh.
TCH: Për ju, kjo lidhet, përveç përmbytjeve, edhe me hedhjen e pakontrolluar të mbeturinave nga këto vende, duke kërcënuar seriozisht mjedisin dhe potencialin turistik kroat?
Dubravka Suica: Unë mendoj se plehrat komunale nuk menaxhohen siç duhet, me korrektësi, në shumë prej këtyre vendeve dhe për këtë arsye, kërkoj ndërgjegjësim publik.
Top Channel