Bashkimi Europian po shkon drejt anarkisë, paralajmëroi shefi i diplomacisë së Luksemburgut, Jean Asselborn, teksa ministrat e Drejtësisë dhe ata të Brendshëm të bllokut u mblodhën për të diskutuar krizën e emigracionit, kërcënimi më i madh sot për vet ekzistencën e BE-së.
“Bashkimi Europian nuk ka më një linjë të përvijuar qartë në raport me emigracionin. Ne po i drejtohemi anarkisë”, tha Jean Asselborn, ministër i Jashtëm i Luksemburgut.
“Politika e lejimkalimit do të thotë se, problemet zgjidhen në kurriz të vendeve të tjera, siç është Gjermania. Kjo është e papranueshme dhe ne nuk vazhdojmë me të njëjtin ritëm për një kohë të gjatë. Objektivi ynë i përbashkët është forcimi i kufijve të jashtëm mes Greqisë dhe Turqisë, në mënyrë që numri i refugjatëve të arrijë të reduktohet ndjeshëm”, tha Thomas de Maiziere, ministër i Brendshëm i Gjermanisë.
“Në këtë situatë na nevojiten zgjidhje europiane. Politikës së lejimkalimit duhet t’i jepet fund sa më parë”, tha Johanna Mikl-Leitner, ministre e Brendshme e Austrisë.
“Muret krijojnë vetëm iluzione. Një vend që ndërton mure mund ta zgjidhë problemin përkohësisht, por në fund, i gjithë sistemi do të shembet”, tha Angelino Alfano, ministër i Brendshëm i Italisë.
Më herët, ministrat e BE-së patën një mëngjes pune me përfaqësues të vendeve ballkanike, qëllimi i të cilit ishte sheshimi i dallimeve mbi krizën më të madhe të momentit.
Austria, Serbia dhe Maqedonia kanë shtrënguar ndjeshëm hyrjen e emigrantëve, çfarë zemëron Greqinë, që druhet se kontrollet e rrepta të këtyre shteteve do t’i grumbullojnë të ardhurit në tokën e saj.
Hendeku i krijuar shton presionin mbi politikën europiane të emigracionit, edhe kështu të zhytur në pështjellim prej valës së paprecedentë të emigrantëve dhe refugjatëve. Më shumë se 100 mijë të tillë kanë mbërritur këtë vit në kontinentin e vjetër, shumica përmes Ballkanit.
Top Channel