Qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë të ashpër ku dënon djegien e automjetit privat familjar të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.
“Ky sulm i paprecedentë kriminal, i ndodhur në vazhdën e sulmeve që janë kryer së fundi kundër autoriteteve legjitime të institucioneve të Kosovës dhe ministrit Krasniqi, nga grupe anarkiste parapolitike, synon të krijojë atmosferë të dhunës dhe frikës, si dhe të pengojë punën e Qeverisë së Kosovës dhe rezultatet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë si një ndër sektorët prioritarë për zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Sipas qeverisë, sulmi ndaj ministrit Memli Krasniqi është kryer nga njerëz të cilët pasi kanë humbur arsyen, po përpiqen ta zhysin vendin në kaos dhe anarki, për përfitime të caktuara.
“Qeveria e Kosovës kërkon nga organet kompetente të rendit dhe të drejtësisë që të marrin të gjitha masat ligjore ndaj kryesve të këtyre sulmeve kriminale dhe të parandalojnë përsëritjen e tyre në të ardhmen”, lexohet në komunikatë.
Top Channel