Partia Demokratike ka depozituar këtë të martë në Prokurorinë e Tiranës fakte të reja që tregojnë sipas saj paligjshmërinë e projektit të Bashkisë së kryeqytetit në Parkun e Liqenit.
Faktet janë dorëzuar në institucionin e akuzës nga shefi i seksionit për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji.
“Siç jeni njohur, i vendosur me shpatulla pas murit për aferën klienteliste dhe korruptive të shkatërrimit të Parkut të Liqenit, Erion Veliaj me nëpunësit e vetë kanë deklaruar se kanë marrë një leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit më datë 12.02.2016. Të ndodhur përpara këtyre fakteve, këtij abuzimi me pushtetin, shpërdorimi të detyrës dhe ndërtimit të paligjshëm, sot dorëzuam përsëri fakte të reja në lidhje me kallëzimin penal për Erion Veliajn dhe nëpunësit e tij në bashki”, ka deklaruar Salianji.
Ai ka nënvizuar se, si Veliaj, edhe zëvendësi i tij Arbër Mazniku deklaruan më datë 14 shkurt në një emision televiziv, dy ditë pasi pretendojnë se kanë marrë lejen e ndërtimit, që leja në fjalë është në proces, çka tregon, sipas tij, se leje ndërtimi nuk ka pasur.
“Kemi dyshime të arsyeshme që ashtu siç falsifikoi firmën e punonjësit bashkiak për gjobën, të njëjtin falsifikim ka bërë edhe me lejen e ndërtimit në këtë rast”, tha Salianji.
Sekretari për Aksionin Qytetar shtoi se: “Nuk ka pasur në asnjë rast një njoftim zyrtar, as nga Kryeministria, as nga ministritë, as nga Bashkia për këtë mbledhje të datës 12 të KKT, ç’ka tregon se nuk ka pasur mbledhje, por kemi të bëjmë me falsifikim”.
Top Channel