Jamie Shea rikthehet në Kosovë

19/02/2016 15:35

17 vjet pas bombardimeve të NATO-s kundër regjimit të Millosheviçit, zëdhënësi i atëhershëm i forcave aleate, Jamie Shea, është rikthyer në Kosovë një ditë pas 8-vjetorit të Pavarësisë.

Jamie Shea,  të cilin shqiptarët e kujtojnë me shkop në dorë për 78 ditë rashazi teksa tregonte në hartë pikat e shkatërruara të ushtrisë serbe, tregoi për Top Channel se jo gjithmonë ishte i lehtë raportimi lidhur me sulmet.

“Kishte ditë sikur ju kujtohet autokolona në Gjakovë, ambasada kineze, ura ku ne goditëm objektivin e  gabuar ku fatkeqësisht u vranë civilë aksidentalisht. Dhe këto për opinionin publik ishin ditë të vështira. Por mendoj se në fund , shumica e njerëzve në NATO ishim të sigurtë se po bënim gjënë e duhur dhe donim të kishte suskes dhe kjo ka rëndësi”, kujton ai.

Pas 17 vjetësh, Jamie Shea është shprehur i mahnitur me progresin në Kosovë, por i pyetur lidhur me themelimin e Forcave të Armatosura, ai tha se fillimisht duhet punuar në disa aspekte tjera të rëndësishme për vendin

“Mendoj se çelësi për përforcimin e Kosovës, para se gjithash është që të ketë një ekonomi dhe shoqëri të suksesshme. Së dyti, duhet të keni marrëdhënie të mira me fqinjët tuaj, së treti duhet të keni marrëdhënie të mira me BE dhe NATO-n. Po ,është e rëndësishme të keni ushtri dhe NATO ka punuar shumë të themelojë Forcën e Sigurisë, por Forca e Sigurisë nuk mund ta kryej punën e vetme. Duhet të keni ekonomi të zhvilluar, shoqëri të fortë dhe marrëdhënie të mira me fqinjët po ashtu”, shton ai.

Jamie Shea qëndroi mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë ku u dekorua me çmimin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut nga një kolegj privat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA