Haradinaj dorëzon mandatin e deputetit

19/02/2016 00:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë këtë të premte dorëheqjen nga posti i deputetit në Kuvendin e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur vet ai, përmes një komunikate për shtyp.

“Duke parë se, Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një institucion për mbulimin e shkeljeve kushtetuese që ka bërë Qeveria; duke parë se Kuvendi është shndërruar në një vend, ku deputetët tërhiqen zvarrë nga policia me urdhër politik; dhe duke parë përjashtimin arbitrar të deputetëve të opozitës nga Kuvendi, jap dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, deklaron Haradinaj në komunikatën për shtyp.

“Në mandatin tim si deputet jam munduar, që të ngre shqetësimet e mia serioze për çështje me interes për vendin, duke përfshirë edhe gabimet që po bëheshin me nënshkrimin e dy marrëveshjeve të kontestuara, Demarkacionin dhe Asociacionin, por jam injoruar nga uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit. Pikërisht si rezultat i një injorimi të tillë dhe e një papërgjegjshmërie ekstreme të pushtetarëve të këtij vendi, e vetmja rrugë veprimi e imja si deputet kishte mbetur logjika e kundërshtimit me gaz lotsjellës. Pas ditës së sotme konsideroj se, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është më një institucion demokratik, e rrjedhimisht unë nuk e shoh më veten pjesë të kësaj legjislature”, përfundon deklarata e kreut të AAK-së, Haradinaj.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta