Thaçi zbut tonet: Frymën paqësore, opozita ta sjellë dhe në Kuvend

18/02/2016 13:35

Një ditë pas kritikave të ashpra ndaj opozitës për protestën në ditën e pavarësisë, e cila përfundoi pa dhunë, liderët e koalicionit qeveritar në Kosovë kanë zbutur qëndrimet, duke ftuar sërish liderët e opozitarë për dialog.

Kryeministri Isa Mustafa ka ftuar opozitën që të ndalojë protestat dhe të kthehet në institucione për të diskutuar dhe marrë argumente për të gjitha çështjet që kanë ngritur.

 “Ne jemi në gjendje që të japim argumente për çdo shqetësim dhe kërkesë të çdo qytetari, edhe të atyre që dje ishin në protestë dhe nuk aplikuan dhunë. Por po ashtu kërkoj prej krerëve të opozitës që ata të mos veprojnë edhe më tutje në këtë formë, por të kthehen në Kuvend dhe aty t’i zgjidhim gjitha çështjet”, tha Mustafa.

 Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka ftuar liderët opozitarë që frymën e protestës paqësore të qytetarëve ta transferojnw edhe në Kuvendin e Kosovës: “Dhe unë kam besim që do të ketë reflektim të tillë të mospërdorimit të dhunës, siç ndodhi dje në protestë, gjithashtu edhe në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të hapim një etapë të re të punëve të përbashkëta, agjendës së përbashkët dhe natyrisht bashkëpunimit të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare”.    

Këto deklarata Mustafa dhe Thaçi i bënë në mbledhjen e qeverisë, ku u vendos edhe për ndarjen e një buxheti prej 420 mijë eurosh për objektin e ri të Avokatit të Popullit, që është edhe njëri ndër kriteret për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA