Në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes Policia e Kosovës ka arrestuar Sekretarin Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.
Kjo u konfirmua për Top Channel nga zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha, i cili përmes telefonit tha se është zbatuar urdhër-arresti i lëshuar nga Gjykata. Edhe pse i kërkuar nga policia, Dardan Molliqaj një ditë më parë mbajti fjalim para qytetarëve të mbledhur për protestën e partive opozitare në Prishtinë.
Nga 18 nëntori i vitit të kaluar Molliqaj ka shmangur daljet publike, pasi gjatë protestës kundër arrestimit të deputetes së AAK-së Donika Kadaj Bujupi, ai është parë duke detyruar të dalë nga makina zyrtare këshilltarin e ministrit të Bujqësisë, Shasivar Haxhiaj, ndërsa kjo makinë më pas u dëmtua nga protestuesit.
Dardan Molliqaj është edhe në listën e të akuzuarve lidhur me rastin e dëmtimit të makinave të EULEX-it në vitin 2009, për të cilin janë lëshuar 21 udhër-arreste, pasi të akuzuarit nuk kanë përfillur ftesat e gjykatës.
Lidhur me dëmtimin e makinave të EULEX-it, përveç Molliqajt, gjatë ditëve të fundit janë arrestuar edhe 8 zyrtarë dhe aktivistë të Vetëvendosjes, përfshi deputetitn Glauk Konjufca.
Top Channel