Qeveria ndryshon një nga postet më të rëndësishme: ministrin e Financave. Vendin e Shkëlqim Canit, një financieri me përvojë e zë nje nga emrat e rinj të socialistëve, Arben Ahmetaj.
Mes hezitimeve të Presidentit, akuzave të rënda të opozitës, kritikave për Canin, marrëveshje me FMN dhe shenjave të para të vakta të rimëkëmbjes së ekonomisë, cili është plani i mbajtësit të ri të thesarit të vjetër të shtetit?
Për këtë dhe për të tjera pyetje, në Top Story-n e kësaj të enjte ishte vetë ministri (i padekretuar) i Financave…dhe pikërisht mungesa e dekretimit nga ana e Presidentit ishte çështja nga ku e nisi ai fjalën e vet.
“Presidenti ndoshta po konsumon të gjithë kohën kushtetuese, ose ndoshta gjysmën e afatit 7-ditor. Nuk besoj që do të ketë krizë kushtetuese. Unë kam qenë edhe para një viti tek Presidenti dhe Presidenti në të njëjtën kohë bëri shkarkimin dhe emërimin, çoi të dyja dekretimet në Parlament. Nuk besoj që kemi një situatë krize kushtetuese. Jam i bindur që Presidenti i kupton që financat e shqiptarëve janë delikate dhe nuk kanë nevojë për trazira”, tha Ahmetaj.
Lidhur me akuzat e Sali Berishës dhe opozitës për afera korruptive, akuza që kulmuan në seancën plenare të kësaj të enjteje:
“Berishën e shqetëson përmirësimi i ekonomisë së vendit, kjo e shqetëson se nga përvoja politike e di që përmirësimi i ekonomisë largon administratorin e tij nga ëndrra e pushtetit. Nuk bën dot asnjë akuzë konkrete, por merret me një çështje të një kompanie private para 16 vitesh, të cilën kur erdhi në pushtet e ka hetuar me themel me grupin e vet antikorrupsion. E çoi në prokurori, kontrolloi të gjitha të ardhurat e mia me ILDKP dhe bëri denoncimin në prokurori dhe nuk ishte prokurori i PS, ishte prokuror i vendosur nga Sali Berisha. Unë isha një person privat me të ardhura dhe shpenzime të deklaruara kokë për kokë”, deklaroi ai.
Emri i Ahmetajt është lakuar nga opozita edhe për atë që ajo e quan “aferë korruptive” me Hidrocentralin e Skavicës. Ai tha se shpreson që kompania që ka shprehur interesin fillestar të vazhdojë ta ketë këtë interes pasi është një ndër kompanitë me prestigjoze në këtë fushë.
Një tjetër çështje për të cilën Partia Demokratike flet për korrupsion duke përmendur familjarë të kryeministrit është edhe zona e lirë ekonomike e Spitallës, tenderi i së cilës dështoi.
“Është shenjë që tregon se kjo Qeveri bën diferencën. Kryeministri doli e tha që për shkak se një nga familjarët e mi është përfolur, unë i kam kërkuar ministrit që të pezullojë atë proces. Fatmirësisht, unë kisha autorizuar një nga kompanitë më të mira në botë të bënte hetimin këtu dhe në Kinë dhe kompania ka bërë investigim të reputacionit dhe shifrave për të përputhur dosjen me logjikën politike të kryeministrit kur u përfol një i afërm i tij. Kjo bën diferencën. Nuk është kjo qeveria që bëjnë biznes me tenderat publikë familjarët”, tha ai.
Largimin e Shkëlqim Canit nga Qeveria, opozita e lidh me koncesionin e TVSH-së, pasi sipas saj, ish-ministri i Financave e ka kundërshtuar këtë koncesion. Ahmetaj tha se bëhet fjalë për një ofertë të pakërkuar dhe u kujdes të theksojë se nuk bëhet fjalë për një dorëzim tek privati të të drejtës për mbledhjen e të ardhurave, por vetëm për modernizimin e sistemit informatik. Ai tha se ka konsulencë të vazhdueshme me FMN për këtë çështje.
“Koncesioni ka procedurën e vet dhe në dijeninë time ajo ofertë që është analizuar goxha gjatë është përgatitur me terma reference. Është një përpjekje për modernizimin e sistemit informatik të TVSH-së, nuk është një koncesion që i jepet dikujt për të mbledhur të ardhurat, kjo është e drejtë e autoriteteve fiskale. E dyta është që procedura ka pikëpyetjet e veta sesa e dëshiruar është. Ka shumë konsulencë edhe nga FMN. Jemi në konsultë të përditshme me të. Mos e merrni të mirëqënë siç e dëgjojnë sepse nuk ka njeri që të japë mbledhjen e TVSH-së me koncesion. Sot në tatime ka një platformë rrisku e bazuar në kategori kryesore që filtron shumë elemente dhe e ka bërë dhe e menaxhon sot një privat”, tha ai.
Një rol thelbësor në rigjallërimin e ekonomisë luan kreditimi, që duket se është në stanjacion, ndërkohë që vendi duket se ka konsumuar impulset si fiskale ashtu edhe ato monetare.
Megjithatë, sipas raporteve të Bankës së Shqipërisë ka rritje të depozitave të biznesit. Ahmetaj tha se kjo është sfida e Qeverisë që të nxirë kreditimin dhe të vendosë në qarkullim paranë e fjetur të biznesmenëve. Ai renditi dy shkaqe për këtë.
“Kredia për biznesin është rritur modestisht për 3-mujorin e fundit. Gjithashtu, BSH vë në dukje që janë rritur depozitat e sipërmarrjes, 250 mln dollarë mbi mesataren e 10 viteve. Kjo do të thotë që biznesi është i pasigurtë për të ardhmen ekonomike. E dyta, bankat dhe sipërmarrja nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët mes rriskut dhe projekteve dhe ofertave të sipërmarrjes”, u shpreh ai.
Duke iu rikthyer koncesionit të TVSH-së në fund të Top Story, Ahmetaj tha se gjithçka do të bëhet në konsultë të vazhdueshme me FMN.
“Kur të shkojë në zyrë do të shoh dosjen me detaje financiare, juridike dhe strukturore dhe asgjë pa u konsultuar me FMN dhe nëse ai koncesion do të jetë i përputhur me të gjitha parimet dhe i rënë dakort me FMN do ta hedhim në treg për konkurrencë”, tha ai.
Këtë të enjte, LSI ka ndërmarrë një nismë ku kërkon ndryshime në ligjin për koncesionet. Sipas propozimit të grupit të deputetëve të LSI-së, çdo koncesion mbi 4-vjeçar, të shqyrtohet nga Parlamenti, jo vetëm nga qeveria.Lidhur me këtë propozim të LSI-së, Ahmetaj tha se nëse kërkesa ka elementë që garantojnë shëndetshmëri atëherë do të merret në konsideratë.
Top Channel