“Amerika nuk është gati për një presidente femër”, Michelle Obama: Mos më shikoni mua si kandidate
Shkencëtarët në Brazil thonë se kanë zbuluar prova të reja që lidhin virusin e Zikas me rastet e mikrocefalisë apo trurit të pazhvilluar mirë tek foshnjat e porsalindura.
Grupi i studiuesve në Universitetin e Paraibas zbuloi virusin brenda trurit të dy bebeve që jetuan për vetëm 48 orë. Në Brazil janë konfirmuar 460 raste me mikrocefali, ndërsa po hetohen edhe 3850 raste të tjera të dyshuara.
Virusi i Zikas, i bartuar nga mushkonjat, po përhapet me shpejtësi në vendet e Amerikës Latine, por Brazili mbetet më i prekuri. Studiuesit ndoqën shtatzaninë e dhjetë grave të infektuara me Zika në shtetin verilindor të Paraibas dhe siç pohojnë për median britanike BBC, mostrat e marra nga indet e trurit të dy foshnjave të porsalindura kishin treguar se virusi ishte ende i pranishëm.
Një prej shkencëtareve e cila pretendon lidhjen mes Zikas dhe defekteve në tru, doktoresha Adriana Melo, tha se rastet e shqyrtuara në verilindje të Brazilit nuk paraqisnin thjesht mikrocefali, por edhe probleme të tjera të trurit.
Këto zbulime ofrojnë prova të reja që u shtohen rezultateve të njoftuara javën e kaluar nga shkencëtarët në SHBA dhe Slloveni.
Të shtunën Brazili tha se do të mobilizonte 200 mijë ushtarë të tjerë për të paralajmëruar njerëzit për rreziqet e virusit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur gjendjen e emergjencës globale për lidhjen e mundshme mes Zikas dhe mikrocefalisë.
Top Channel