Skeptik për armëpushimin, Assad: Terroristët nuk do t’i binden konferencës

16/02/2016 00:00

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad ka hedhur dyshime serioze, mbi perspektivën e armëpushimit në vendin e zhytur në luftë civile.

Gjatë një fjalimi në Damask, kreu i i regjimit sirian e bëri të qartë këndvështrimin e tij se, implementimi i marrëveshjes brenda një jave, sa ç’ishte afati i përcaktuar në konferencën e Mynihut, ka për të qenë mjaft i vështirë.

Arsyeja për Assadin janë rebelët, të cilëve vazhdon t’iu referohet si “terroristë”. Vështirë se këta njerëz do t’i ulin armët, u shpreh udhëheqësi sirian, që shfaqet thellësisht skeptik mbi fundin e shpejtë të konfliktit.

“Dëgjuam që kërkuan vendosjen e një armëpushimi brenda javës. Dakord, por kush është ai që do të arrijë t’i përmbushë të gjithë kushtet në një javë? Asnjëri nuk mundet. Kush do të flasë me terroristët, nëse një organizatë terrori refuzon ta respektojë pushimzjarrin? Kush do t’i detyrojë të japin llogari?”, pyet Bashar al-Assad, President i Sirisë.

Pas bombardimit të spitaleve të hënën, ideja e pushimzjarrit në vetvete u lëkund ndjeshëm e kritikët e vunë në pikëpyetje respektimin e tij nga ana e ushtrisë siriane, të mbështetur prej fuqisë ajrore ruse.

Këshilltarja amerikane për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice u tha gazetarëve se, përshkallëzimi i fushatës ushtarake hedh hije të mëdha dyshimi mbi vullnetin e Moskës, për zbatimin e asaj çfarë u arrit në Mynih. Por, me komentet e tij të fundit, Assadi kërkoi ta hidhte topin në fushën e kundërshtarit, duke u përpjekur të tregonte se, problemi në këtë mes janë rebelët, e jo regjimi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta