Sherr “për 5 minuta”, Nishani: Rama të tërheqë fyerjen

16/02/2016 12:50

Ka marrë trajtën e një përplasjeje institucionale takimi pesë minutësh në këmbë i Bujar Nishanit me John Kerry në pistën e Rinasit ditën e dielë.

“Nuk kam dëshirë të komentoj, ai është presidenti i Shqipërisë, është edhe presidenti im kur takon këdoqoftë që vjen nga jashtë dhe për hir të së vërtetës nuk do kisha dashur që presidentin e vendit tim ta shikoja duke bërë shefin e protokollit në aeroportin e Rinasit”, është shprehur kryeministri Rama.

Komenti që kryeministri Edi Rama i bëri takimit 5 minutësh mes presidentit Bujar Nishani dhe sekretarit të shtetit John Kerry në shkallët e avionit që sapo kishte zbritur në aeroportin Nënë Tereza në Tiranë, ka sjellë sqarimin e presidentit Nishani. Sipas tij, kërkesa për takim me John Kerry ka ardhur nga vetë sekretari i shtetit. Presidenti e ka quajtur batutën e kryeministrit fyese.

“I kërkojmë Kryeministrit të vendit të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe spekulative ndaj Presidentit të Republikës dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, pasi një qëndrim i tillë nuk përfaqëson nderimin dhe mirënjohjen që shqiptarët anembanë botës kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan”, deklaroi Brikena Arapaj, këshilltarja për median e Presidentit.

Por reagimit serioz të presidentit, kryeminsitri ka zgjedhur sërish t’i përgjigjet me një batutë në rrjetet sociale, ku kreun e shtetit nuk e ka krahasuar më me shefin e protokollit, por me një punonjës të pistës së aeroportit.

“Presidenca më ka keqkuptuar!Thjesht isha e jam i keqardhur që Presidenti i Shqiperise i doli avionit përpara”, shkruan Rama.

Nuk dihet nëse do të ketë një reagim tjetër të presidencës por ajo që mund të thuhet me siguri është përplasja e re që ka lindur mes dy institucioneve, për vetëm 5 minuta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA