PD: Spitalet e jugut në kushte skandaloze

16/02/2016 12:20

Deputetja e PD, Liliana Elmazi ishte në spitalet e Sarandës dhe të Delvinës, ku pa nga afër gjendjen e mjerueshme të sistemit shëndetësor dhe dëgjoi ankesat e kërkesat e qytetarëve.

Sipas një njoftimi për shtyp të selisë blu, pacientët, të afërmit e tyre dhe mjekët i shprehën zonjës Elmazi shqetësimin për mungesën e ilaçeve, pajisjeve të amortizuara dhe kushteve të rënda.

Deputetja Elmazi tha se është absurde që nga njëra anë ministri i Shëndetësisë fut në xhepat e tij, të kryeministrit dhe klientelës së tyre 330 milionë euro nga konçesionet dhe nga ana tjetër nuk investon as edhe një lek në spitale.

“Ju e shihni vetë që në maternitet, atje ku lind jeta, çdo gjë është në degradim. Në spitale lagështira është mbytëse, nuk ka dyer e dritare dhe kushtet janë skandaloze. Pra, sistemi nga Tropoja në Sarandë ka degraduar nga rilindasit Rama-Beqaj”, tha Elmazi, e cila i bëri thirrje kryeministrit që si deputet i Vlorës të inspektojë nga afër spitalet e jugut.

“Ndërkohë që nga konçesionet në shëndetësi fitimet e pushtetarëve janë marramendëse, shumica e banorëve të jugut i kryejnë trajtimet dhe lindjet në spitalin e Janinës, duke u thelluar edhe më shumë në borxhe e halle për të përballuar sëmundjet dhe problemet shëndetësore”, ka vijuar Elmazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA