Kryeministri britanik David Cameron po përgatitet për një seri bisedimesh serioze në Bruksel, ku pret të sigurojë mbështetje për kërkesat e tij për reformimin e BE-së.
Cameron pritet të diskutojë rinegocimin me presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker dhe anëtarë të vjetër të Parlamentit Evropian.
Bisedimet vijnë në prag të një samiti dyditor të liderëve të BE-së, që nis të enjten. Ditën e hënë, presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk deklaroi se negociatat mbi kërkesat e Britanisë ishin në një “moment kritik” dhe paralajmëroi se rreziku për një ndarje me Mbretërinë e Bashkuar “është real”.
Zoti Tusk po mbikëqyr negociatat dhe foli pas bisedimeve të zhvilluara me presidentët e Rumanisë dhe Francës, në kuadër të përgatitjes para samitit që do të mbahet më vonë gjatë javës.
“Ky është një moment kritik. Është koha kur po dëgjojmë argumentet e njëri-tjetrit. Është e natyrshme që të ketë përplasje teksa koha tkurret. Por rreziku i ndarjes është real sepse ky proces është shumë i brishtë. Duhet patur kujdes, sepse çfarë prishet nuk mund të ndreqet”, deklaroi Tusk.
Pas bisedimeve që zoti Cameron zhvilloi me presidencin francez Hollande të hënën në Paris, zëdhënësi i Downing Street deklaroi se ata “kishin pasur bisedime konstruktive” mbi argumentet e Britanisë.
Top Channel