BE: Mision vëzhgimi për reformën në drejtësi

16/02/2016 12:30

Në një intervistë për Top Channel, eurodeputeti Knut Fleckenstein thekson faktin se politika shqiptare duhet ta realizojë këtë reformë.

Ai bën të ditur se një mision vëzhgimi i Bashkimit Europian do të shikojë nga afër procesin e votimit, por edhe të zbatimit të reformës për t’u siguruar, siç thotë Fleckenstein, që askush mos bëjë lojrat e veta politike.

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE: Ne e inkurajojmë Komisionin Europian për të bërë këtë raport të ndërmjetëm, pas miratimit të nevojshëm të reformës në drejtësi dhe të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Çështja më kyçe e këtij raporti është reforma në drejtësi, sepse jam i sigurtë se të gjitha çështjet e tjera si lufta ndaj krimit të organizuar, apo korrupsionit, kryhen me efiçencë vetëm nëse kemi gjykata të pavarura dhe prokurorë të pavarur.

Top Channel: A ndan ndonjë përgjegjësi BE mbi reformën në drejtësi?

Knut Fleckenstein: Ne nuk jemi përgjegjës mbi atë reformë. Sigurisht, ne kemi dhënë shumë këshilla, si nga misioni i Bashkimit Europian, edhe nga ambasada e SHBA-ve. Prandaj, shpresojmë që të miratohet sa më shpejt dhe si për miratimin, edhe për implementimin, unë mendoj se duhet të dërgojmë një mision vëzhgues nga Bashkimi Europian, për të parë se si do të votohet e zbatohet më pas. 

Top Channel: Ku? Është kjo në draft?

Knut Fleckenstein: Jo në këtë draft sepse ne kemi hapësirë të kufizuar në të tilla dokumente, por ky do të jetë amendamenti i parë, që do ta propozoj unë. E kam biseduar gjithashtu me PPE-në. Do t’ia kërkoj këtë Komisionit, sepse vërejmë se të gjitha forcat kryesore politike duan ta miratojnë atë, por ende kanë opinione të ndryshme mbi mënyrën e realizimit të saj. Ne duam të sigurohemi se nuk bën askush lojrat e veta politike. Kjo është shumë e rëndësishme për shqiptarët.

Top Channel: Ju thoni në draft se (për reformat) “një lojë e ndershme mes qeverisë dhe opozitës është vitale” , kujt i referoheni?

Knut Fleckenstein: Pas çdo zgjedhjesh, ka një shumicë dhe një pakicë. Sigurisht, shumë ligje mund të votohen nga shumica, kundër pakicës, por ka disa reforma themelore, të cilat e ndryshojnë me të vërtetë vendin tuaj një ditë për më mirë. Kjo duhet arritur me sa më tepër konsensus të jetë e mundur. Kjo do të thotë se pala në qeveri duhet të kujdeset për opozitën duke marrë në konsideratë mendimin e tyre, ndërsa pala në opozitë nuk duhet të mendojë se “kush do, çfarë”, por se çfarë është mirë për vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA