Basha: Cani, kurban për 400 milionë $. Ahmetaj, i besuari i bandës

16/02/2016 12:30

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar ndaj ndryshimeve të fundit në qeveri, duke akuzuar kryeministrin Rama se, pavarësisht mesazheve të parnerëve, vazhdon të promovojë vjedhjen dhe hajdutërinë.

“Pasi bëri kurban Shkëlqim Canin për të mbuluar vjedhjen e 400 milionë dollarëve në Tatime dhe Dogana, me caktimin e Arben Ahmetajt si ministër Financash, Rama konfirmoi se plaçkitja, zhvajtja dhe mbushja e xhepave me paratë e shqiptarëve janë standardet e tij të qeverisjes”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, Ahmetaj është ndër më të besuarit e “bandës plaçkitëse” të Edi Ramës. “Ai ka feksur me landfillin e Elbasanit, nga ku vidhen 10 mijë euro para publike në ditë, dhe ka shkëlqyer si ndërmjetësi i pazarit të fshehtë, të paligjshëm dhe korruptiv për mega-aferën Skavica”, ka thënë Basha.

Ai është shprehur se, kryeministri Rama dekoroi sot edhe modelin e konçesioneve korruptive në shëndetësi, “një prej vjedhjeve më të mëdha në historinë e vendit ku u ndanë mbi 338 milionë euro me miqtë dhe klientët e tij”, duke emëruar Milva Ekonomin në vend të Ahmetaj.

“Si zv.ministre e Shëndetësisë, zonja Ekonomi ka qenë një punëtore e palodhur në këtë skemë të madhe zhvatjeje. Për këtë kontribut, ajo shpërblehet nga Rama duke u emëruar Ministre e Ekonomisë”, ka vijuar Basha.

Për kryetarin e opozitës, mesazhi i Ramës është i qartë. “Vidh, bëhesh deputet dhe ministër. Vidh më shumë, Edi Rama të beson financat, të beson ekonominë e vendit”.

“Këto arnime korruptive pasqyrojnë vetëm interesat financiare të Edi Ramës. Ato do ta thellojnë edhe më tej rekordin e vjedhjes, varfërinë dhe krizën që janë produktet e vetme të kësaj qeverie. Ndryshimi i vërtetë nis me largimin e Edi Ramës dhe bandës së tij plaçkitëse”, ka shtuar Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA