Të paktën 50 civilë kanë mbetur të vdekur këtë të hënë, si pasojë e një sulmi me raketa që goditën 4 spitale dhe një shkollë, në qytetin sirian të Aleppos të kontrolluar prej rebelëve, teksa forcat besnike siriane të mbështetura edhe nga sulmet ajrore ruse kanë intensifikuar ofensivën e tyre në këtë qytet.
Nga viktimat, 14 prej tyre janë vrarë në rajonin Azaz pranë kufirit me Turqinë, kur raketat ranë mbi një shkollë që strehonte familje që ishin shpërngulur nga sulmet e fundit, si dhe një spital fëmijësh. Bombardimet goditën gjithashtu edhe një strehim tjetër refugjatësh, si dhe një autokolonë mjetesh.
“Kemi parë të nxirren dhjetëra fëmijë duke ulëritur nga spitali”, tha mjeku Juma Rahal. Të paktën dy fëmijë mbetën të pajetë, ndërsa disa të tjerë janë plagosur, shtoi ai.
Aktivistë të shumtë kanë publikuar online disa video, në të cilat pretendohet të shfaqet spitali i shkatërruar. Në pamje duken edhe 3 foshnje duke qarë, të vendosur nëpër inkubatorë, në një repart të mbushur me pajisje të dëmtuara mjekësore.
Ndërkohë, raketat kanë goditur edhe një spital në rajonin e Marat Numan, në provincën e Idlibit në veri të Sirisë, siç deklaroi presidenti francez i fondacionit “Mjekë pa kufij”, që ishte vënë në mbështetje të spitalit.
“Këtu ka të paktën 7 të vdekur, të gjithë personel dhe pacientë, ndërsa 8 prej personelti të Mjekëve pa kufij janë zhdukur, për të cilët ne ende nuk e dimë nëse janë gjallë”, tha Mego Terzian. “Autori i këtij sulmi është i qartë… qeveria ruse ose vet Rusia”, tha ai, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që goditen ambientet e “Mjekëve pa kufij” në Siri.
Vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut (SOHR), që ndjek ngjarjet e dhunshme në këtë vend që prej nisjes së luftës civile, por me seli në Londër, bëri të ditur se një infermier ka vdekur, ndërsa 5 infermiere, një doktor dhe një infermier besohen të jenë nën rrënojat e spitalit.
Në Marat Numan, një tjetër sulm goditi Spitalin Kombëtar në periferinë veriore të qytetit, duke lënë të vrara dy infermiere.
Ndërkohë, në një reagim, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova i ka cilësuar si “propagandë” akuzat e bëra ndaj Moskës.
“Në lajmet që janë publikuar në media nuk ka të dhëna specifike që mund të merren në konsideratë si prova, por vetëm akuza”, ka thënë Zakharova për agjencinë e lajmeve “ANSA”.
Zëdhënësja ka shtuar se, Rusia do të vazhdojë bombardimet përreth zonës së Aleppos edhe nëse do të arrihet marrëveshje për një armëpushim.
Top Channel