
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër ish-imamit të Prizrenit, Irfan Salihu, për shkak se dyshohet të ketë kryer veprën penale të “nxitjes së urrejtjes, përçarjes kombëtare, racore, fetare apo etnike”.
Hoxha Irfan Salihu akuzohet në lidhje me një ligjëratë të vitit 2013, në një xhami të Prizrenit, ku ka deklaruar ndër të tjera se, “në Kosovë, gjatë vitit 1445 kanë qenë vetëm një për qind shqiptarë, kurse turqit i kanë sjellë shqiptarët në Kosovë dhe më pas u kanë dhënë toka”.
“As Enver Hoxhën nuk e shajnë, paramendoni vëllezër, as Titon, as Rankoviçin dhe as Milosheviçin nuk i shajnë, por shajnë atë mysliman që u ka dhënë disa hektarë tokë dhe i ka sjellë të jetojnë në Kosovë, duke i bërë sundimtarë të Ballkanit. Shqiptarët kanë sunduar Ballkanin në kohën e perandorisë osmane. Pas atyre kanë ndodhur masakra të mëdha, një e treta e popullatës na është shkatërruar, është vrarë dhe është prerë”, ka thënë Irfan Salihu, ish-imam i Prizrenit, në deklaratën për të cilën është vënë nën akuzë, në mars të 2013-s.
Imami kontrovers nga Prizreni njihej mirë dhe është kritikuar shpesh, në rrjetet sociale e opinion, për shkak të ligjëratave të tij në xhami dhe ato të publikuara në “Youtube”, apo në lidhje me predikimet e tij për disa tema sociale si martesa, virgjëria.
“Vajza e kurbetliut tonë është regjistruar në fakultet dhe, a e dini çfarë po i blejnë dhuratë vëllezër? Një pako me kondomë po i blejnë. Për hajër të qoftë fakulteti bijë, ja një paketë kondomësh. O vëllezër të rinj, juve po ju drejtohem, lereni këtë tip femrash. Çdo femër që bën akt intim pa kurorë, sipas dispozitave të Islamit është rr***pi dhe k**vë”, është një prej predikimeve të Irfan Salihut.
Ndaj deklaratave të tij, në atë kohë ka pasur shumë reagime, që e kanë shtyrë Bashkësinë Islame të Kosovës ta pezullojë hoxhë Salihun nga pozicioni i imamit të xhamisë “Suzi Qelebiu”, në Prizren. Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha tha përmes telefonit për Top Channel se, hoxha Irfan Salihu nuk përbën rrezik për arratisje, ndaj për atë nuk është dhënë urdhërarresti.
Top Channel