Vdekja e Antonin Scalia, gjyqtari konservator i Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara, me gjasa do të jetë molla e radhës së sherrit mes presidentit Obama dhe republikanëve.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, pasi shprehu vlerësimet më të larta për Scalia-n, një prej emrave më me ndikim në 3 dekadat e fundit në Gjykatën Supreme dhe një konservator i pandreqshëm, tha se do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese duke propozuar një emër për zëvendësimin e tij, por se për këtë do të marrë kohën e nevojshme.
Por republikanët kundërshtojnë këtë duke kërkuar që vendi i lënë bosh nga Scalia të plotësohet pas betimit të presidentit të ri. Që të gjitha kandidatët republikanë në garë për Shtëpinë e Bardhë u shprehën në një zë për këtë.
“Nuk duhet të bëjmë asnjë hap derisa të përfundojnë zgjedhjet për president. Kjo është gjëja e duhur që duhet të bëjmë mendoj unë”, thotë Marco Rubio.
“Senati nuk ka miratuar ndonjëherë një anëtar të Gjykatës Supreme të propozuar nga Presidenti në vitin e fundit të mandatit të tij. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në 80 vitet e fundit”, thotë kandidati tjetër, Ted Cruz.
Tjetër mendim kanë demokratët.
“Është detyra e Presidentit që të propozojë anëtarët e Gjykatës Supremi dhe Senati i miraton. Kushtetuta është shumë e qartë në këtë pikë dhe mendoj se Presidenti Obama duhet të propozojë sa më shpejt emërimin e ri”, shprehet kandidati republikan për president, Bernie Sanders.
Ashpërsimi i përplasjes mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit të kontrolluar nga republikanët duket se është i pashmangshëm duke ditur që anëtarët e Gjykatës Supreme shërbejnë me mandat të përjetshëm dhe një zëvendësues për gjykatësin Scalia mund të zhvendosë pozicionimin ideologjik të Gjykatës për një sërë çështjesh polarizuese, që nga aborti e deri tek kontrolli mbi armët, apo pushteti i korporatave të mëdha.
Top Channel