“Amerika nuk është gati për një presidente femër”, Michelle Obama: Mos më shikoni mua si kandidate
Turqia ka bombarduar milicitë kurde në Sirinë veriore dhe ka kërkuar tërheqjen e tyre nga territoret që ka nën kontroll. Kjo është konfirmuar nga kryeministri Ahmet Davutoglu.
Të enjten, fuqitë botërore ranë dakord të punojnë për ndalimin e luftimeve në Siri, brenda një jave. Mes shënjestrave të bombardimeve turke ishte edhe baza ajrore “Menagh”, që ishte marrë nën kontrollin e një grupi militant kurd, të njohur me emrin “YPG”, nga duart e rebelëve islamikë sirianë të enjten.
Duke folur në televizionin turk, kryeministri Davutoglu paralajmëroi se, Turqia do të hakmerret nëse “YPG” nuk do të largohet nga baza ajrore, që gjendet në jug të qytetit Azaz, në afërsi të kufirit turk.
Turqia mendon se “YPG” është i lidhur me guerrilasit kurdë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që kanë ndërmarrë një fushatë kundër forcave të sigurisë në Turqi, për dekada të tëra. Davutoglu akuzon milicitë kurde se kanë sulmuar arabët etnikë dhe turq, në një masë të krahasueshme me krimet e luftës.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, po ashtu i kërkoi “YPG”-së të mos përfitojë nga situata konfuze dhe të pushtonte territore të reja. Kirby tha se, Turqia dhe “YPG” kërcënohen në të njëjtën masë nga Shteti Islamik, luftëtarët e të cilit janë vendosur në lindje të Azaz.
“Ne vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët, që të fokusohen në këtë kërcënim të përbashkët, që nuk është zbehur aspak”, – tha ai. Të shtunën, ministri i Jashtëm turk tha se ishte e mundur, që trupa nga vendi i tij dhe nga Arabia Saudite të marrin pjesë në operacione tokësore kundër forcave të Shtetit Islamik.
Arabia Saudite do të dërgojë avionë ushtarakë në bazën turke Inçirlik, për të kryer sulme nga ajri mbi militantët e ISIS po ashtu. SHBA-të, deri më tani kanë përjashtuar mundësinë e një pushtimi nga toka të Sirisë, ndërsa Moska ka paralajmëruar kundër një zhvillimi të tillë, duke thënë se kjo do të çonte në një luftë botërore.
Top Channel