
Kandidatët republikanë për president kanë ngritur tonet për sa i takon politikës së jashtme dhe të ardhmes së Gjykatës Supreme, në një debat që shpesh herë u bë kaotik.
Pas Iowas dhe New Hampshire, gara është zhvendosur tani në Karolinën e Jugut, ku pritet të mbahen zgjedhjet paraprake më 20 shkurt.
Pretendenti kryesor, Donald Trump, në mënyrë të përsëritur është konfrontuar me senatorin e Teksasit, Ted Cruz, dhe ish-guvernatorin e Floridas, Jeb Bush. Ndërsa kandidatët ngrinin zërin dhe shpesh ndërprisnin njëri-tjetrin, moderatori i “CBS”, John Dickerson paralajmëroi: “Ne po rrezikojmë ta prishim këtë”.
Trump dhe Bush u përplasën në lidhje me luftën në Irak dhe rolin e Presidentit George W. Bush gjatë sulmeve të 11 shtatorit. Jeb Bush iu përgjigj ashpër sulmeve të Trumpit, një kthesë kjo për guvernatorin, që fillimisht nisi një fushatë të qetë dhe të hareshme.
“Ne nuk duhet të kishim hyrë asnjëherë në Irak, – tha Trump. – Ata gënjyen. Ata thanë se kishte armë të shkatërrimit në masë. Nuk kishte asgjë dhe ata e dinin këtë”. Bush u zbraps, duke mbrojtur të vëllain, që do t’i bashkohet atij në fushatë para paraprakeve të Karolinës së Jugut.
“Unë jam i lodhur nga Barack Obama, që fajëson vëllain tim për të gjitha problemet që ai ka. Dhe sinqerisht nuk më interesojnë shumë edhe ato që thotë Donald Trump”, tha Bush. Edhe vdekja e gjyqtarit të Gjykatës Supreme, Antonin Scalia, ishte pjesë e debatit me të 6 kandidatët, që thanë se duhet të jetë presidenti i ri, ai që do të zgjedhë zëvendësuesin e tij.
Sipas Trumpit, Presidenti Obama do të zgjedhë një zëvendësues, por republikanët në Senat duhet ta bllokojnë atë. Pas Karolinës së Jugut, javën e ardhshme, pjesa tjetër e shteteve do të ndjekin të njëjtën rrugë në javët dhe muajt e ardhshëm. Çdo parti do të shpallë zyrtarisht kandidatin e tyre presidencial në konventat që do të mbajnë në korrik, 4 muaj para zgjedhjeve presidenciale.
Top Channel