Fillimi i marrëdhënies diplomatike që konsiderohet sot më e rëndësishmja për Shqipërinë dhe shqiptarët, ajo me SHBA-të, daton më 28 korrikun e vitit 1922. Vendimi i Uashingtonit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Tiranën erdhi natyrshëm, pas vetos që Presidenti amerikan Thomas Wildrow Wilson vuri në Konferencën e Paqes në Paris, duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë, veprimi i parë i fortë proshqiptar i Amerikës.
Për rastësi ose jo, Departamenti amerikan i Shtetit ndërtoi në Tiranë të parën Ambasadë në botë në pronësi të saj, pikërisht në vendin ku është edhe sot, duke dërguar në të edhe të parin ambasador. Pas disa konsujve, Faik Konica bëhet ambasadori i parë shqiptar në Uashington. E megjithë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Tiranën në mes të verës, në raportin e ndërtuar mes dy shteteve nuk pati vetëm verë.
Dimri në shkëmbimet diplomatike SHBA-Shqipëri erdhi me pushtimin e vendit nga Italia në 1939-n. Ambasadori amerikan u largua po atë vit nga Tirana, ndërsa Ambasada u mbyll. Megjithë këmbënguljen e Faik Konicës, Uashingtoni, ende në pozita hezituese ndaj aksit nazi-fashist, u dorëzua dhe “de facto” njohu pushtimin e Shqipërisë.
Zinxhiri i marrëdhënieve dypalëshe, këputur në 1939-n, u vulos nga vendosja e regjimit komunist në vend, që e shpalli Amerikën armik. I vetmi mision, që Shqipëria mbajti në SHBA, ishte ai në OKB, por pa angazhimin e marrëdhënieve dypalëshe. Vetëm 52 vite më vonë, me rënien e regjimit komunist, amerikanët kthehen në Tiranë për të ngjitur zinxhirin e këputur të marrëdhënieve diplamatike, për më shumë se gjysmëshekulli. Ambasada u hap sërish më 21 qershor të 1991-shit dhe William E. Ryerson mori detyrën si përfaqësuesi i parë diplomatik në Shqipëri, pas rënies së komunizmit.
22 qershor 1991 – Vizita e James Baker
Vetëm tre muaj më vonë, më 22 qershorin e 1991-shit, tokën shqiptare e vizitoi për herë të parë një Sekretar Shteti i SHBA-ve. Pritja e tij nga mijëra shqiptarë në shesh ishte dëshmi e mungesës së gjatë dhe pritjes së dëshpëruar për t’u rilidhur me kombin e lirisë. Rënia e izolimit komunist për shqiptarët dhe rivendosja e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA morën bekimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, qëllimi për të cilën ai erdhi nga përtej Atlantikut.
Marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë u rritën vrullshëm, duke vulosur gjatë 10-vjeçarit të parë pas rënies së komunizmit, cilësimin e shqiptarëve si populli më proamerikan në botë. Kështu u interpretua edhe investimi amerikan, fillimisht në luftën për çlirimin e Kosovës.
19 shkurt 2000 – Vizita e Madeleine Albright
Amerika sërish nuk i zhgënjeu shqiptarët. Jo vetëm ata brenda. Kosova e lirë ishte misioni amerikan në vitet 2000. Kjo solli Madeleine Albright, Sekretarin e dytë amerikan të Shtetit në Tiranë, më 19 shkurtin e vitit 2000. Situata në Kosovën e pasluftës, mbështetje Shqipërisë për situatën e emergjencës humanitare nga pritja e mijëra shqiptarëve të Kosovës, mesazhi për orientimin euroatlantik të Shqipërisë, ishin temat që preku Albright në Tiranë, pa lënë pas konteksin e një Ballkani të trazuar, siç dëshmuan vetëm pak muaj më vonë ngjarjet në Preshevë dhe Maqedoni.
2 maj 2003 – Vizita e Colin Powell
Vetem 3 vite më vonë, kur Shqipëria kishte kristalizuar përpjekjet për anëtarësim në NATO, Colin Powell shënon vizitën e tretë të një Sekretari amerikan të Shtetit në Tiranë. Ajo që u la e shkruar ishte nënshkrimi i “Kartës SHBA-Adriatik 3”, ku bënte pjesë Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia. Ishte ky hapi i parë i një prcoesi gjashtëvjeçar i anëtarësimit në NATO. Në shkëmbim të kësaj firme, Shqipëria nuk pranoi të nënshkruante Traktatin e Romës, për ekstradimin e shtetasve në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte, një lëvizje e mbështetur nga Uashingtoni. Si pasojë, megjithëse pa qenë ende një vend i NATO-s, u renditem ndër vendet e para në mbështetje të ndërhyrjes së SHBA-ve në Irak.
10 qershor 2007 – Vizita e George W. Bush
Kulmi i marrëdhënieve SHBA-Shqipëri u shënua më 10 qershorin e 2007-s. Për herë të parë, një President amerikan vizitonte Tiranën. George W. Bush deklaroi para shqiptarëve:
“Kosova do të bëhet një vend i pavarur”. Pa kaluar as një vit, kjo ndodhi.
Presidenti amerikan dha bekimin në Tiranë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, fillimisht në Samitin e Bukureshtit, e më pas në pranimin zyrtar një vit më vonë në Samitin e Strasburgut në vitin 2009.
1 nëntor 2012 – Vizita e Hillary Clinton
Megjithëse tashmë një vend i NATO-s dhe në negociata për anëtarësim në BE, Shqipëria, partneri kryesor i SHBA-ve në rajon, ishte përfshirë në krizën e thellë politike në 2012-n. Nën këtë klimë politike, Hillary Clinton shënon vizitën e katërt të një Sekretari amerikan të Shtetit, që vinte pas dështimit të ndërhyrjes europiane për të zgjidhur konfliktin e thellë politik në vend. Vetëm një vit më vonë, opozita fitoi zgjedhjet.
Mesazhi i Clintonit, në vizitën që përkonte me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, asaj që 1 shekull më parë shqiptarët i detyroheshin një presidenti amerikan, ishte i qartë:
“Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të Pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre”.
Megjithë oshilacionet e ndryshme, siç ishte rasti i armëve kimike, raporti mes dy vendeve mbetet i fortë dhe special.
Ky partneritet u shndërrua në dokument zyrtar në vitin 2015, në Uashington, dhe u firmos nga Ditmir Bushati e John Kerry. Së bashku me premtimin tashmë të mbajtur për të vizituar Tiranën.
Top Channel