Zgjedhje edhe tek PD, Basha: Një anëtar, një votë për çdo vendim me rëndësi

13/02/2016 00:00

Në 15 qytete të vendit, demokratët zgjedhin me parimin “një anëtar, një votë” kryetarët e degëve të forumit rinor dhe nga Shkodra, i vetmi qytet i madh i fituar në zgjedhjet e fundit nga opozita, Lulzim Basha, premtoi ta shndërrojë këtë në modelin e ri dhe të vetëm të demokratëve.

“Është detyra jonë sot që të ngrihemi edhe një herë si para 25 viteve, të ngrihemi për t’i dhënë një model tjetër Shqipërisë, të demokracisë së re, demokracisë pjesëmarrëse së çdo qytetari, çdo qytetareje duke e nisur nga demokracia brenda familjes tonë, brenda shtëpisë tonë, duke e nisur me vendimmarrjen “një anëtar-një votë” për të gjitha vendimet e rëndësishme në Partinë Demokratike”- tha Basha.

Në këtë pikë, Basha nuk rezistoi të mos komentojë gjendjen në Partinë Socialiste, duke akuzuar Edi Ramen se e ka zëvendësuar votën e lirë me të inkriminuar. 

“Ky është ndryshimi i madh sot midis një Partie Socialiste që është katandisur në një çiflig i satrapit oriental, në një fole të personave kriminale që diktojnë çdo vendim dhe një Partie Demokratike që është ringritur e po ringrehet mbi normat, vlerat dhe standardet perëndimore që përbëjnë ADN-në tonë, shpirtin tonë, identitetin tonë. E ku më bukur për ta theksuar identitetin tonë perëndimor në vlera, në besime, në norma dhe në Shkodrën e lirisë, në Shkodrën e kuvendit, në Shkodrën e qëndresës, në Shkodrën e ringritjes 2015 dhe në Shkodrën që do t’i prijë fitores në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha u bëri thirrje të rinjve të bashkohen me Partinë Demokratike për të shkurtuar kohën e qeverisjes Rama-Meta, për të cilën thotë se po sillet si një byro mafioze, që duhet ta ketë vendin para drejtësisë. 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta