Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se interesat kanë rënë thuajse për të gjithë instrumentat kryesorë të kursimit.
Sipas Bankës, për depozitat njëvjecare, interesat kanë zbritur në 1.4 përqind duke qenë më të ulta edhe se inflacioni, ndërkohë që të njëjtën tendencë kanë ndjekur edhe depozitat më afatgjata.
Në dy vitet të fundit shumë kursimtarë janë mbrojtur duke i zhvendosur kursimet e tyre nga depozitat tek bonot e thesarit, por tani edhe këto instrumenta nuk janë më aq të leverdishme. Në ankandin e radhës, interesat e bonove njëvjecare, mjeti i dytë më i preferuar i kursimeve pas depozitave, ranë në 1.85 përqind, çka përbën nivelin më të ulët historik.
Ekspertët sqarojnë se interesat e ulëta të kursimeve janë rezultat i gjendjes në të cilën ndodhet ekonomia dhe tregu i brendshëm financiar.
“Në radhë të parë kjo situatë reflekton një tepricë të madhe likuditeti në tregun financiar dhe një kërkesë të ulët për para si për kredi ashtu dhe nga qeveria”, thotë Adrian Civici, ekspert ekonomie.
Arjan Kadare vlerëson se interesat e kursimeve do mbeten të ulëta të paktën edhe gjatë këtij viti. Sipas tij, kjo situatë prekë më shumë kursimtarët e vegjël.
Sinkron Arjan Kadare, te cilet nuk kane mundesi te investojne ne instrumenta me risk me te larte per shkak se kane shuma te vogla parash. Në këtë kuptim, marrin një normë interesi më të ulët se inflacioni dhe fuqia blerëse e tyre reale bie”, thotë Kadare, ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH.
Por si mund të mbrohesh nga rënia e interesave? Sipas ekspertëve një mënyrë do ishte investimi në mjete më afatgjata kursimi.
“Nëse kursen për të çuar në shkollë djalin, vajzën mire do jetë te blesh obligacione dhjetëvjeçare të qeverisë. Japin interesa shumë më të larta, vetëm se kanë një problem, nëse do t’i shesësh në mes të rrugës, mund të kesh humbje kapitale.
Ndërsa Ardian Civici thotë se Shqipëria duhet të zhvillojë tregun financiar, ku të mos jenë vetëm bankat institucionet e investimit, por edhe të tjera.
“Duke filluar që nga bursat, tregjet e kapitali, instrumenta të tjerë zhvillimi, fonde financimit, fonde pensionesh, fonde zhvillime e shumë të tjera ku njerëzit mund të investojnë paratë e tyre”, thotë Civici.
Për shumë vite Shqipëria ka qenë gati një parajsë për ata që kursenin duke ofruar norma të larta fitimi. Por tani ekonomia, ashtu si kudo në Europë ka hyrë në një epokë të re, atë të normave të ulëta e madje edhe negative të interesave.
Top Channel