Zërat e ardhur nga Partia Demokratike për një bashkëpunim të mundshëm me FRD, kreu i saj force politike Bamir Topi i konsideron joserioze dhe fryt të deklaratave individuale të ditës.
“Sa herë është pyetur kryetari i partisë nga e cila vijnë këto deklarata, ai gjithmonë ka mbajtur një pozicion në heshtje. Kështu që, duke qenë të tilla, unë i marr si të tilla. Që do të thotë, janë deklarata të ditës dhe nuk i konsideroj deklarata serioze”, deklaron Topi.
Zoti Topi shkon më tej kur lë të kuptohet qartazi se tashmë opozita është e përhumbur dhe rolin e saj e ka zënë LSI-ja.
“Dominant i jetës politike është më shumë një lloj kontradiksioni politik midis dy partive që janë aleate në qeverisje. Që do të thotë se, gradualisht po zëvendësohet opozita e djathtë në konvencion së paku, dhe kjo po i lë terren një imazhi ndoshta të rremë të një kontradikte që ekziston midis partisë kryesore në pushtet dhe partisë së dytë”, thotë Topi.
Por cili është mesazhi i zotit Topi për PD? “Kushdo që mendon se do të shkojë në inercinë e një politike të vjetër, nuk ka të ardhme”, vlerëson ai.
Ndërkohë, kreu i FRD është shprehur edhe për bashkëpunimin me Partinë Socialiste. “Unë e kam shprehur edhe herë të tjera, është një bashkëpunim në kuadrin e pushtetit vendor, ekskluzivisht në këtë linjë. Nuk besoj që ka shkuar aty ku ne kemi menduar, por gjithësesi funksionon në mënyrë të limituar”, shton ish-nënkryetari i PD.
Top Channel