Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha emëroi Ervin Salianjin sekretar për Aksionin Qytetar, strukturë kjo që do të jetë në funksion të qytetarëve, “zërit të tyre dhe nxitjes së tyre për mobilizim dhe aksion kundër arrogancës qeveritare, korrupsionit dhe padrejtësive”.
Në një njoftim për shtyp nga selia blu thuhet se, Salianji vjen nga një përvojë e gjatë në këtë detyrë, “pasi si koordinator i Partisë Demokratike dhe drejtues i Departamentit për të Drejtat e Njeriut ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe problematikat e tyre”.
Ervin Salianji ka përfunduar studimet e larta për Drejtesi dhe aktualisht po përfundon doktoraturën në të drejtë publike-kushtetuese.
Në vitet 2011-2014 ishte avokati i qytetit të Tiranës. Në vitin 2013 u emërua koordinator për çështjet ligjore në Partinë Demokratike. Gjithashtu, ai është anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie.
Top Channel