
Byroja Kombëtare e Hetimit është në qendër të debateve në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të demokratëve, Lulzim Basha.
Fillimisht ka qenë Kryeministri Edi Rama, i cili i ka kërkuar opozitës që të publikojë, sipas tij, draftin e dakortësuar për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Kreu i ekzekutivit e ka bërë këtë përmes rrjeteve sociale dhe duke “luajtur” me emrat.
“Soli dhe Loli thonë që nuk është ky drafti i dakortësuar për Byronë Kombëtare të Hetimit. Po mirë atëherë, cili është drafti i dakortësuar”, pyet Rama në Twitter, duke kërkua më pas nga opozita që t’ja tregojë publikut draftin.
Po përmes rrjeteve sociale ka reaguar kreu i demokratëve.
“Dielli me shoshë dhe e vërteta me rrena nuk mbulohen dot. Drafti që solli Rama sot në Parlament ra më 21 dhjetor kur foli Venecia e tha se Byroja nuk mund të ketë drejtim tjetër veç Prokurorisë. E ftova publikisht 3 herë ta miratonim me ndryshimin e Venecias dhe tha do pres prapë Venecian. Tani luan bllofin me draftin e skarcuar. S’i kam faj unë që njihet si gënjeshtar i certifikuar nga Brukseli në Honolulu”, shkruan Basha.
Rama dhe Basha replikojnë prej dy ditësh nëpër rrjetet sociale me njëri-tjetrin.
Top Channel