Rama: Drafti i BKH kalon me shumicë të thjeshtë. Berisha: Bie ndesh me Venecian

11/02/2016 00:00

Drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit të miratuar në qeveri është 100% ai i dakordësuar me Partinë Demokratike, ka theksuar kryeministri Edi Rama në seancën kuvendore.

Ai ka paralajmëruar se Byroja e Hetimit kalon me shumicë të thjeshtë në Kuvend, por ekspertët e PD-së janë përfshirë nga ndërkombëtarët në hartimin e këtij drafti. Ai i ka kërkuar kundërshtarit të tij politik, Sali Berisha që të mbajë një qëndrim për Byronë, duke u shprehur se demokratët po vënë në pozitë të vështirë partnerët ndërkombëtare.

“Byroja Kombëtare e Hetimit kalon me shumicë të thjeshtë, po ishte kërkesë e ndërkombëtarëve që për shkak të programit që BE ka lançuar për financimin e policisë së shtetit dhe për shkak të marrëveshjes me FBI të përfshihehin dhe ekspertë dhe përfaqësues të PD dhe ne ramë dakord. Jeni përfshirë dhe dakordësuar pikë për pikë. Drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit që qeveria shqiptare ka sjellë në Parlament është drafti me të cilin jeni dakordësuar ju. 100%. Pasi kemi miratuar draftin 100% të dakordësuar me ju, ju keni dalë dhe keni thënë një gënjështër dhe më të madhe. Që ky është drafti që më nxorri mua cullak. Unë për të dalë cullak nuk kam nevojë të bëj drafte me ju. Po në këtë rast është një shpifje jo ne, por vë në pozitë të vështirë partnerët tanë. Dhe mbi të gjitha pastaj krijon një konfuzion total tek publiku”, tha Rama.

Në fjalën e tij në Parlament, ish-kryeministri Berisha deklaroi se varianti i miratuar nga qeveria për Byronë e Hetimit nuk është ai i dakordësuar nga opozita. “Dhe unë këtu, cilitdo që të dojë, mund t’i jap dokumentin”, ka thënë Berisha.

Duke shprehur bindjen se, reforma në drejtësi është e domosdoshme, Berisha ka theksuar se, nuk mund të ketë një forcë tjetër politike më të interesuar se opozita për funksionimin e shtetit ligjor.

“Atëherë ne përcaktuam qëndrimin tonë të hapur se do të marrim pjesë në këtë reformë. Oferta jonë u kuptua jo si një akt përgjegjshmërie shumë të lartë, por ju e hodhët poshtë me cinizëm ekstrem”, ka thënë Berisha duke iu drejtuar mazhorancës.

“Megjithatë, ne deklaruam në mënyrë persistente se duam të punojmë. Ju menduat se do të na nënvlerësonit duke futur papagajtë tuaj për të deklaruar se opozita nuk do reformë. Harrojeni këtë. Ne persistonim në qëndrimin tonë, në parimet që kishim shpallur. Por ju, pa na pyetur fare, morët e vutë një draft të hartuar nga një grup ekspertësh të blerë e të korruptuar”, ka vijuar Berisha.

“Futët në grup kunatin e Mimi Kodhelit dhe zonja në fjalë u ngrit këtu dhe mbrojti kunatin. Ai do merrte në darkë ato që i thoshte kunata, që ia kishte thënë Edi Rama gjithë ditën. Eksperti tjetër ishte ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, që më vonë erdhi dhe shprehu përkatësinë ndaj PS-së. Vunë në krye Xhafën, i cili porositi: më kini kujdes kunatin. Cilin kunat? Sokol Berberin, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Sokol Sadushi, me t’u ulur aty tha, Shqipëria ka nevojë për një Gjykatë të Lartë Administrative, sepse unë dua të jem kryetar i saj”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, në draftin e qeverisë ishin bërë përpjekje që në vend të krijoheshin dy sisteme drejtësie. “Një sistem do drejtohej nga Edi Rama, njëri nga një humbameno. Dërguat në Venecia një shpartallim të Kushtetutës, me qëllim që të bëheshit ju kryegjykatës, për të marrë pushtetin e fundit që ju ka mbetur. Draftin e reformës e bëtë me ekspertët tuaj dhe nxorrët para ekspertëve tanë faktin e kryer”, ka shtuar Berisha.

Lidhur me Byronë Kombëtare të Hetimit, duke iu drejtuar mazhorancës, Berisha ka nënvizuar se, “drafti juaj shkoi në Kushtetuese dhe mori kthimin total të tij”. “Rekomandimet i Komisionit të Venecias nuk pranonin që Byroja të mos kishte lidhje me prokurorinë”, ka shtuar Berisha.

Top Channel