
Pasditen e së enjtes Parlamenti miratoi dy projektligje për pasuritë e paluajtshme dhe atë që maxhoranca e ka cilësuar deri më tani reforma për transportin rrugor.
Projektligji për pasuritë e paluajtshme synon t’i japë fund një problemi në hipotekimin dhe shitjen e banesave.
“një firmë ndërtimi sot mund ta shesë, teorikisht, apartamentin apo pronën në ndërtim më shumë se sa njëherë. Leja e ndërtimi sapo të jepet nga bashkia regjistrohet menjëherë nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë dhe çdo transaksion që do të bëhet në vijim do të duhet të jetë i deklaruar në Zyrë e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për ta mbrojtur blerësin e kësaj prone që në proces”, shpjegoi ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Ndërkaq u miratuan edhe ndryshimet në ligjin për transportet rrugore, për të cilin ministri Edmond Haxhinasto tha se synon modernizimin e të gjithë rrjetit të transportit rrugor e që do të përkthehet në më pak jetë të humbura njerëzish.
“Të rinovojmë flotën e tyre sepse është situatë mesjetare në flotën e autobusëve. Rritet shumë siguria e qytetarëve shqiptarë nëpërmjet kësaj ndërhyrje. Përcaktimi i nevojës dhe domosdoshmërisë së terminaleve, sistemi i biletimit dhe futja e teknologjisë së informacionit në këtë lloj elementi dhe krijimin e regjistrit elektronik të të gjithë operatorëve”, deklaroi ministri Haxhinasto.
Top Channel