Koncesioni për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit është shpallur përsëri nga qeveria. Ministria e Transportit ka publikuar thirrjen për tenderin, i cili do të zhvillohet më 25 prill, në ora 15.00.
Deri në këtë datë kompanitë duhet të dorëzojnë ofertat e tyre. Termat e referencës nuk kanë ndryshuar në krahasim me tenderin e fundit, i cili i u anulua.
Kompania fituese duhet të mirëmbajë 60 kilometra rrugë nga Miloti deri në Morinë, si dhe të plotësojë me ndërtime të reja pjesët e papërfunduara të rrugës.
Sipas dokumentit të publikuar, koncesioni është 30-vjeçar, kompania fituese do të mbledhë dhe mbajë të ardhurat nga taksa që do të merret për çdo kalim mjeti.
Në këmbim, ajo do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit.
Pak muaj më parë u anulua tenderi ku dy kompani paraqitën ofertat e tyre, që u konsideruan të papranueshme nga autoritetet shqiptare për shkak të kostove të larta.
Top Channel