Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur këtë të enjte në një takim homologun slloven Milan Brglez, me të cilin ka diskutuar për një sërë çështjesh, me theks të vecantë atë të integrimit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit kokë më kokë, Meta e ka vlerësuar Slloveninë si “një vend mik dhe aleat të Shqipërisë”.
Kreu i Kuvendit ka bërë me dije se bashkë me zotin Brglez ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi.
Memorandumi në fjalë parashikon, sipas Metës, ofrimin e asistencës nga pala sllovene për Shqipërinë në fushën e integrimit, shkëmbimin e eksperiencave mes dy parlamenteve, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në fushën e politikës.
Ndërsa Brglez nga ana e tij, ka vlerësuar se, Sllovenia ka mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së dhe do të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin e plotë të saj.
Ai ka nënvizuar nevojën që Bashkimi Europian duhet të ruajë politikën e dyerve të hapura, ndërsa ka vlerësuar hapat e deritanishëm të Shqipërisë.
“Jemi shumë të kënaqur me reformat që deri tani ka ndërmarrë Shqipëria, në mënyrë të veçantë me reformën në drejtësi dhe ligjin për dekriminalizimin”, ka thënë Brglez.
Ai ka theksuar se, “memorandumi është nxitje për një bashkëpunim të mëtejshëm edhe në marrëdhëniet tregtare e ekonomike”.
Top Channel