Byroja, kush thotë të vërtetën?

11/02/2016 00:00

Edi Rama dhe Sali Berisha morën të dy së bashku më shumë se dy orë të diskutimeve të Parlamentit. Të dy kishin betejën se, kush thotë të vërtetën për Byronë e Hetimit. Beteja u nis nga Edi Rama, i cili ia doli që vetëm herën e tretë të tërhiqte në debat Berishën.

“Jeni bërë shumë qesharakë me këtë histori, që ka nxjerrë në pah një të vërtetë që të gjithë e dimë, por që këtë herë ka dalë në pah në mënyrë ulëritëse. Jeni një parti, që udhëheqësin e keni në shtëpinë e vet dhe kryetarin e keni për ta marrë për dore në takim me prindërit. Prandaj është krijuar ky konfuzion”, tha kryeministri Rama.

E vërteta mori disa pamje gjatë replikave të shpeshta mes tyre. Së pari, Berisha u mbrojt me paktin e heshtjes.

“Nuk fola, sepse m’u tha se është një marrëveshje e dakordësuar për të mos folur sot për këtë çështje. Cilido që dëshiron, unë jam i gatshëm t’i jap dokumentin”, u kundërpërgjigj ish-kryeministri Sali Berisha.

Beteja se, me kë ishte e vërteta, ishte aq e fortë saqë Rama dhe Berisha lexuan se çfarë kishin thënë të enjten e kaluar për këtë çështje. Por, ai që ka dokumente të shkruara është Saimir Tahiri.

“Ky është drafti i dakordësuar gërmë për gërmë dhe ju këtë e dini. Unë e kam me shkrim, me ‘e-mail’-e të shkruara, pikërisht në ‘e-mail’-in tim sesi ju keni rënë dakord. Çfarë doni tani, t’ua nxjerr edhe t’iu them ja ku i keni që keni rënë dakord?”, është shprehur ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Mesa duket janë këto “e-mail”-e, që e vunë kryeministrin Rama edhe në pozicionin komod të batutave…për të vërtetën lakuriqe.

“Keni dalë e keni thënë një gënjeshtër edhe më të madhe. Ky draft është ai që më nxorri mua cullak. Unë për të dalë cullak nuk kam nevojë të bëj drafte me ju”, ka thënë Rama.

Top Channel