Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi paraditen e së entjes një takim me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz, në fokus të të cilit ishte reforma në drejtësi, dekriminalizimi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Sipas një njoftimi për shtyp të PD, Basha gjatë takimit ka rikonfirmuar vullnetin e opozitës për të punuar me konsensus, “për një reformë në drejtësi e cila lufton korrupsionin, por pamundëson kapjen politike”.
“Deri tani ky vullnet mungon nga ana e mazhorancës”, theksoi zoti Basha, duke sjellë në vëmendje miratimin për herë të dytë të një drafti të njëanshëm nga ana e PS, i cili bie ndesh me parimin për një drejtësi të pavarur dhe të pandikuar politikisht.
Sa i takon dekriminalizimit, kryetari i opozitës theksoi se, përveç ligjit është shumë i rëndësishëm edhe vullneti politik për ta ndarë politikën nga krimi, vullnet që sipas tij nuk po tregohet nga kryeministri Rama.
“Shkëputja e lidhjeve krim-para-pushtet është e një rëndësie jetike për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.
Më tej, duke e vënë theksin tek zgjedhjet e qershorit 2015, kryetari i PD u shpreh se ato dështuan për shkak të kriminalizimit dhe problemeve të tjera të rënda si shit-blerja e votës, intimidimi i votuesve, përdorimi i administratës, keqpërdorimi i Policisë së Shtetit, etj, probleme këto, të evidentuara sipas tij në raportin e OSBE/ODHIR-it.
“I kanë rikthyer zgjedhjet e lira dhe të ndershme në sprovën më të madhe të Shqipërisë. Pa zgjidhur këtë problem kryesor, pa garantuar votën e lirë, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara në rrugën e zhvillimit dhe integrimit”, theksoi Basha.
Top Channel