
Kabineti qeveritar në Kosovë ka marrë këtë të mërkurë një vendim jo të zakonshëm për mbledhjet e ekzekutivit, për të ndihmuar një paciente me mjete financiare për trajtimin e sëmundjes së kancerit.
“Zyra e kryeministrit, pasi e mori dhe e trajtoi, propozon që të aprovohet kërkesa për dhënien e ndihmës financiare për zonjën Shpresa Zyberaj, e cila është e sëmurë me kancer, një ndihmë në shumën prej 9700 eurosh”, tha Kujtim Shala, zv.kryeministër i Kosovës.
Top Channel ka mësuar se, zonja Zyberaj është bashkëshortja e heroit të luftës së UÇK-së, Mensur Zyberaj, i rënë në zonën e Pashtrikut më 28 maj të vitit 1999.
Djali i zonjës Zyberaj, i kontaktuar nga Top Channel, nuk ka dashur të komentojë për sëmundjen e së ëmës dhe ndihmën e qeverisë.
Ndërkohë, mësohet se pacientja po e merr në Turqi trajtimin kryesor mjekësor, ndërsa po u nënshtrohet edhe disa terapive në Tiranë.
Statistikat e fundit të plota tregojnë se, gjatë vitit 2014, në rang vendi në Kosovë janë regjistruar 2.989 raste të reja me kancer. Sipas të dhënave qeveritare, mbi 70% të shpenzimeve të trajtimit i mbulon shteti, por vitet e fundit janë shpeshtuar rastet, kur familjarët e të sëmurëve kërkojnë parà për mjekim me fushata nëpër rrugë, nëpërmjet operatorëve të telefonisë së lëvizshme dhe në rrjetet sociale.
Top Channel