
Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka përforcuar përfaqësimin në qeverinë e drejtuar nga aleati Edi Rama. Tre zëvëndës ministra nga kjo parti i janë bashkuar kabinetit qeveritar, të miratuar gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave.
Bie në sy një emër i njohur, i cili pas largimit nga detyra ka mbajtur një profil të ulët, por që tani rikthet me një detyrë të re si i propozuar nga LSI.
Ai është ish-shefi i shërbimit sekret, Bahri Shaqiri, i akuzuar nga ish-kryeministri Berisha si pjesë e puçit imagjanar të 21 janarit. Zoti Shaqiri do të mbajë detyrën e zëvendësministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës.
Ndërkohë, Adela Shera Karapici është emëruar në postin e zëvendësministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Këshilli i Ministrave emëroi edhe Roni Telegrafi në detyrën e zëvendësministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Me emërimin e këtyre 3 zëvendësministrave janë plotësuar edhe vendet vakante të përfaqësuesve të LSI-së në kabinetin qeveritar.
Top Channel