Ai tani është deputet i së djathtës, por ndryshe nga Berisha, Kastriot Islamit nuk i është shuar interesi për punët e ish-partisë së tij.
Dialogu mes tij dhe kryetares së Komisionit të Jashtëm, Arta Dade u regjistrua nga kamerat e televizoneve gjatë një pushimi të shkurtër në Kryesinë e Kuvendit ditën e martë.
“Ne nuk jemi në një ndeshje futbolli se me cilin je. Të gjithë duhet të jenë me statutin dhe zbatimin e ligjit…për mendimin tim“, thotë në një moment Arta Dade.
Ky paralajmërim i Arta Dades një ditë më pas nuk duket edhe kaq i rastësishëm. Së bashku me Mimoza Hafizin, një mbështetëse e deklaruar tashmë e Ben Blushit, dy gratë deputete i kanë dërguar një letër Gramoz Ruçit në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së PS.
Dade dhe Hafizi kërkojnë që në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë përpara Kongresit të diskutohen dy çështje.
“Përcaktimi i datës së zhvillimit të votimit nga antarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të PS sipas parimit një anëtarë një votë dhe paraqitja e platformës nga kandidatët për kryetar të PS“, thuhet në kërkesat e Dades dhe Hafizit.
Këtë kërkesë Dade dhe Hafizi e quajnë një kontribut në demokratizimin jetës së brendshme dhe funksionimit të PS.
Top Channel