Kryeministri Edi Rama ka komentuar në rrjetet sociale qëndrimin e Partisë Demokratike në lidhje me Byronë Kombëtare të Hetimit.
Përmes një postimi në Twitter, Rama thumbon opozitën duke i kujtuar asaj tërthorazi qëndrimin e mbajtur ditët e fundit.
“Dikush duhet t’ja freskojë kujtesën publikut lidhur me ç’u deklarua deri dje për Byronë e Hetimit! Gënjeshtarë si këta s’bën më dot nëna jo!”, shkruan kryeministri Rama.
Pak pas reagimit të kryeministrit Rama, ka mbërritur edhe reagimi i kreut të opozitës, Lulzim Basha.
Basha ka shfrytëzuar po rrjetet sociale për t’i përcjellë kryeministrit të përforcuar atë që deklaroi në mbledhjen grupit parlamentar.
“Votojmë që nesër draftin e dakortësuar sipas Venecias, por harroje se opozita punon për sarajet e Surrelit”, shkruan Basha.
Qeveria miratoi kalimin e Byrosë së Hetimit mbledhjen e së mërkurës dhe pro ngritjes së saj u shfaq edhe LSI, ndërsa opozita shprehu gatishmërinë për ta votuar nëse përputhet me rekomandimet e Venecias.
“Sot, në mbledhje qeverie, kanë kaluar projektin e Byrosë Kombëtare. Është versioni i Byrosë nën Prokurorinë, siç e parashikon ‘Venecia’ në rekomandimin 90? Nëse po, atëherë iu përgjigjën ftesës sonë, ne i përgëzojmë dhe jemi gati të bashkojmë votat që nesër. Nëse jo, atëherë ky është një truk për të fituar kohë dhe për t’u hedhur hi syve publikut dhe ndërkombëtarëve”, ka thënë kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Top Channel