Marrin fund dilemat sesi do të krijohet, nga kush do të varet dhe, cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Europian për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Qeveria, në mbledhjen e së mërkurës miratoi projektligjin për “Disa shtesa dhe ndryshime të ligjit për Policinë e Shtetit”, që i hap rrugën themelimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Top Channel ka siguruar projektligjin, ku në nenin 26/1 parashikohet organizimi i kësaj strukture, e cila do të jetë “një shërbim i Policisë Gjyqësore”.
Neni 26/1 – Byroja Kombëtare e Hetimit organizohet si strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit. Kjo strukturë ushtron kompetencat në të gjithë territorin e vendit. Organizimi dhe funksionimi administrativ i Byrosë përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, me propozim të drejtorit të Policisë së Shtetit. Veprimtaria proceduriale penale e Byrosë drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori.
Një nen i veçantë, ai 26/2 i kushtohet emërimit të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky, me gjasë është edhe neni më i kontestueshëm nga opozita.
Neni 26/2 – Drejtori i Byrosë emërohet nga ministri përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, me propozim të drejtorit të Policisë së Shtetit dhe pëlqimin paraprak me shkrim të Prokurorit të Përgjithshëm për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë riemërimi. Drejtori i Byrosë emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit dhe në momentin e emërimit i jepet grada ‘drejtues i parë’. Drejtori i Byrosë kontrollon dhe është përgjegjës për funksionimin e kësaj strukture në bazë të këtij ligji. Prokurori është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e Byrosë, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi.
Në këtë projektligj, roli i Prokurorit të Përgjithshëm në Byro trajtohet edhe në një tjetër nen.
Neni 26/4 – Prokurori i Përgjithshëm cakton një ose më shumë prokurorë të Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për të shërbyer me kohë të plotë si prokuror në Byro. Prokurori i Përgjithshëm cakton prokurorin e vetëm, ose njërin prej tyre kur ka më shumë se një prokuror, që të shërbejë si drejtues i grupit të prokurorëve në Byro. Prokurorët e caktuar në Byro nga Prokurori i Përgjithshëm mund të vendosen në ambientet e Byrosë dhe mbikëqyrin të gjithë veprimtarinë proceduriale penale që kryhet nga Byroja. Prokurorët e caktuar në Byro kanë akses të plotë në të dhënat dhe informacionet, që lidhen me cilindo hetim të Byrosë dhe mbajnë marrëdhënie të përhershme me punonjësit e Byrosë.
Top Channel disponon një draft të mëhershëm të BKH-së. Ai, të cilit opozita i është referuar si drafti i “sherrit” në qeveri, mes ministrave Tahiri dhe Manjani. Dy projektligjet janë të njëjtë, por ky i miratuar unanimisht në qeveri dhe nga mazhoranca, ka vetëm një nen shtesë:
Neni 26/11 – Komisioni i Pavarur i Rishikimit përbëhet nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Shqipëri. Secili prej misioneve ftohet të caktojë përfaqësues, që do të japin ekspertizë dhe këshilla për funksionim më të mirë dhe zhvillimin e Byrosë. Komisioni i Pavarur i Rishikimit monitoron në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë, sikurse edhe vendimet për të larguar punonjësit e Byrosë dhe siguron përputhshmërinë me ligjet ekzistuese.
Pikërisht ky nen i shtuar, i cili sanksionon monitorim ndërkombëtar nga BE dhe SHBA, mund të ketë qenë edhe pika e kompromisit mes PS-së dhe LSI-së për Byronë, e cila tashmë pritet të futet me procedurë të përshpejtuar në punimet e Kuvendit.
Top Channel