Basha për Byronë e Hetimit: E votojmë nëse është “ok” me “Venecian”

10/02/2016 00:00

Mbledhja e grupit parlamentar të PD nisi pak minuta pas vendimit rrufe të qeverisë për miratimin e projektligjit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kjo, si duket, ndikoi tek Lulzim Basha, i cili nuk dha menjëherë një qëndrim përfundimtar nese opozita do ta miratojë këtë draft.

“Është e vërtetë se ne u dakordësuam me ndërmjetësimin e partnerëve tanë amerikanë për një version që çmontonte kapjen direkte nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sikundër është e vërtetë që pasi e mbajtën në sirtar me javë të tëra këtë version, erdhi opinioni i “Venecias”, i cili diktoi në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke se drejtimi i Byrosë nuk mund të jetë i jashtëm nga Prokuroria. Është versioni i Byrosë nën Prokurorinë siç e parashikon “Venecia” në rekomandimin e saj nr.90. nëse po, atëherë i janë përgjigjur ftesës tonë. Nëse po, i përgëzojmë ndonëse me vonesë dhe jemi gati të bashkojmë votat që nesër. Nëse jo, atëherë ky është një truk për të fituar kohë dhe për ‘i hedhur hi syve publikut, dhe institucioneve ndërkombëtare”, deklaroi Basha.

Jo publikisht ama, kryetari i Partisë Demokratike e di përgjigjen e pyetjes, sepse opozita ka dyshime të forta që drafti i kaluar në qeveri nuk reflekton rekomandimin e Venecias, për të cilin thotë se ka rënë dakord me amerikanët.

Me dyer të mbyllura, Lulzim Basha u ka thënë deputetëve se, nëse drafti i qeverisë nuk është ai i dakordësuar me amerikanët plus Venecian, opozita do ta konsiderojë këtë një provokim të rëndë.

Në këtë pikë, Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë patur të njëjtin qëndrim. Edhe gjatë shpjegimit të detajuar për deputetët me dyer të mbyllura, rreth takimeve dhe bisedimeve me ambasadorët, edhe jashtë për gazetarët, Berisha përforcoi qëndrimin se ai është kundër çdo varianti që e lidh Byronë Kombëtare të Hetimit me strukturat e Policisë së Shtetit.

“Do ta votojmë me kënaqësi të madhe, me të vetmin kusht që të pasqyrojë rekomandimin e Komisionit të Venecias. Ky është një kusht i panegociueshëm”, tha Berisha.

Kur zoti Berisha foli për gazetarët, Basha e kishte lënë mbledhjen e grupit për të shkuar në një takim në Ambasadën Amerikane. Basha ka zhvilluar një takim atje pas orës 15 të së mërkurës, por se çfarë është biseduar me ambasadorin Lu mund të reflektohet në seancën e së enjtes në Parlament, kur demorkatët pritet të qartësojnë edhe qëndrimin e tyre, nëse drafti i qeverisë e reflekton kushtin e tyre të vetëm apo jo.

Por, projektligji është i qartë: Byroja do drejtohet nga një person i emëruar nga ministri i Brendshëm dhe do dalë nga strukturat e Policisë së Shtetit. Në rast se ky draft përfundon i pandryshuar në sallën e Parlamentit, opozita nuk do të ketë dilema, vota e saj do të jetë kundër.

Top Channel