Debati për koncesionet, PD: Klienteliste; Qeveria: PD shtrembëron të dhënat

09/02/2016 16:30

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po minon qëndrueshmërinë financiare të vendit përmes koncesioneve, sipas saj klienteliste, të cilat janë duke ngarkuar borxhe të fshehta mbi buxhetin.

“660 milionë euro, që janë koncesionuar në këto dy vite e gjysmë, me këto të tjera që ka njoftuar Ministria e Ekonomisë rreth 70 janë në proces, 300 milionë të tjera, pra shkon në 1 miliardë vetëm në dy vite e gjysmë”, deklaron Jorida Tabaku, deputete e PD.

Por ministri i Ekonomisë thotë se opozita shtrembëron faktet për të përfituar politikisht.

“Nëse ti si opozitë bën përllogaritje sipas qejfit, pa iu referuar atyre konkrete, të kostos së një check up-i dhe nëse e bën si opozitë shëndetin e njeriut si aritmetikë, këtu jemi shumë të ndarë”, thotë ministri Ahmetaj.

Zoti Ahmetaj thotë se qeveria aktuale ka dhënë vetëm 14 koncesione, ndërkohë që është pikërisht opozita ajo që e ngarkoi vendin me borxhe masive nga koncesionet.

“Qeveria e vjetër ka dhënë 176 koncesione. Ka dhënë koncesione energjitike me çmime fikse të larta, të cilat direkt qëndrojnë mbi kompaninë KESh dhe i kanë rënduar bilancin, madje ishin një nga arsyet e borxheve të shumta”, shton ai.

Por Jorida Tabaku pretendon se ka një ndryshim rrënjësor mes koncesioneve të dhëna gjatë qeverisë së demokratëve dhe atyre aktualë.

“Hemodializa, check up-i, sterilizimi janë shërbime qëderi dje i ka ofruar shëndetësia”, thotë deputetja demokrate.

Tabaku këmbëngul se pas koncesioneve të qeverisë aktuale nuk qëndron interesi publik, por të tjera interesa.

“Pas një vizite të kryeministrit në Turqi vjen koncesioni për Skavicën, pas një vizite të kryeministrit në Kinë vjen kërkesa nga kinezët për Spitallën, informacionet për koncesionin e TVSH e lidhin atë drejtpërdrejtë me vëllain dhe familjen e kryeministrit”, shton Tabaku.

Por duke mohuar akuzat qeveria thotë se do të vazhdojë të tërheq kapitalin privat për të përmirësuar shërbimet e qytetarëve.

“Ne kemi qytetarin në fokus, nuk kemi aritmetikën në fokus. Kur arrijmë të përputhim interesin për qytetarin me interesin për buxhetin e shtetit, atëherë kjo është përgjegjshmëri. Këto koncesione kështu janë, le t’i verifikojë kush të dojë”, thotë Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA