Ambasadorët “njohin” Berishën

09/02/2016 15:35

Përgjithësisht, ish-kryetari Sali Berisha e viziton selinë e Partisë Demokratike vetëm një herë në javë, të mërkurën e mbledhjes së Grupit Parlamentar.

Por, paraditen e së martës, Sali Berisha hyri në selinë e opozitës pak minuta përpara se atje të mbërrinin dy ambasadorët, Donald Lu dhe Romana Vllahutin. Vendtakimi ishte zyra e kryetarit Lulzim Basha. Ky është një format bisedimesh që ndodh për herë të dytë brenda dy javësh, por ndryshe nga dreka në territorin amerikan tek Rruga e Elbasanit, kjo është hera e parë që bisedimet ndodhin në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike në praninë e ish-kryetarit.

Palët e përfshira në bisedime janë hermetike për çfarë biseduan për rreth 1 orë  e gjysmë, por besohet se reforma në drejtësi është enigma që diskutohet për zgjidhje. Ajo është aq e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian,  saqë për të siguruar garancinë maksimale të arritjes se një marrëveshjeje, ambasadorët kanë hequr dorë nga formalitetet diplomatike dhe po ekspozojnë në publik pushtetin real të Sali Berishës në Partinë Demokratike.

Burime jozyrtare konfirmojnë për Top Channel se takimi lidhet me vizitën e europarlamentarëve Fleckenstein dhe Kukan, të cilët mesa duket, po përpiqen të negociojnë sërish një zgjidhje për politikën shqiptare.

Të hënën në mbrëmje ata kanë darkuar me dy ambasadorët, Lu dhe Vllahutin, duke patur si shqetësim gjetjen e një zgjidhjeje të kënaqshme, në mënyrë që opozita të japë pëlqimin për një formulë që ajo e konsideron se sistemi i drejtësisë nuk vihet nën kontrollin e qeverisë.

Kukan dhe Fleckenstein, që folën për një optimizëm të kujdesshëm, janë të dy politikanë që kanë besimin e forcave kryesore në Shqipëri dhe deri në 12 mars, kur të dalin rekomandimet e Venecias, ata, bashkë me ambasadorët në Tiranë i presin bisedime të vështira.

Intensiteti i këtyre bisedimeve është rritur pasditen e së martës, kur të dy ambasadorët u takuan në Kryesinë e Kuvendit me kryetarin e Komisionit të Reformës në Drejtësi, socialistin Fatmir Xhafaj. Bisedimet kanë qenë po aq të gjata sa me demokratët, por askush nuk pranon të bëjë asnjë koment.

Transparenca, e cila përflitet si tipari kryesor i reformës në drejtësi, po zëvendesohet për momentin me heshtje.

Mesa duket, palët kanë vendosur të flasin vetëm kur të kenë diçka për të thënë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA