Edi Rama është kujdesur vete për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për Kongresin e 19 marsit. Ai ka drejtuar një mbledhje mbrëmjen e së hënës në selinë rozë, me koordinatorët e 6 qarqeve, të cilët kanë raportuar për ecurinë e asaj që kryesocialisti e quan hapje dhe fuqizim të partisë për të çuar më përpara reformat. Gjithashtu edhe për përgatitjet e kongresit.
Burime nga mbledhja i thanë Top Channel se është vendosur që këtë të shtunë të zhvillohen procesi i zgjedhjes së delegatëve për në Kongres, në qytetet e Korçës, Elbasanit, Fierit dhe Beratit.
Në listat e votimit për delegatë janë që të gjithë me arsim të lartë. 50% femra, po aq meshkuj. Ndërkohë jo më shumë se 40 % të punësuar në administrate, ndërsa 60 % nga sektori privat, përfshi të papunët. Mosha është një tjetër kriter. Një e treta duhet të jenë deri 25 vjeç. I gjithë procesi do të jetë i hapur dhe çdo orë do të raportohet ecuria.
Baza socialiste e Tiranës dhe Durrësit do t’i drejtohet votimit me 20 shkurt, ndërsa në 27 shkurt votohen në Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër. Kësaj mbledhje i parapriu me një deklaratë deputetja Blerina Gjylameti.
“Delegatët kanë zgjedhje një anëtar një votë. Që do të thotë çdo anëtar i PS do të votojë për delegatët që do ta përfaqësojnë në Kongresin e Partisë Socialiste”, tha deputetja e PS, Blerina Gjylameti.
Top Channel