Tri ishin çështjet që Lulzim Basha ngriti në bisedimet me eurodeputetët, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, ku shefi i opozitës veç reformës në drejtësi dhe dekriminalizimit, ka ngritur edhe atë të zgjedhjeve.
Në lidhje me reformën në drejtësi:
“Përsërita qëndrimin e opozitës për një bashkëpunim të hapur dhe pa kushte të opozitës për një reformë që lufton korrupsionin, por pamundëson kapjen politike. Në këtë kuadër theksova rëndësinë që merr dialogu politik dhe për një një vit e gjysmë kryeministri nuk i është përgjigjur asnjëherë ftesës së opozitës për një dialog të thellë politik dhe një punë konsensuale”, deklaroi Basha.
Fleckenstein dhe Kukan janë dy eurodeputetët me kontribut të konsiderushëm për miratimin e ligjit të dekriminalizimit dhe si të tillë, Basha nuk mund të mos shprehte para tyre shqetësimin e opozitës për atë që e quan “sfidë ndaj shpirtit të ligjit”.
“Shpirti i ligjit po sfidohet pa nisur ende punë. Përmenda rastin e Arben Ndokës që u bë emblema e kauzës dhe i shpëtoi një vendimi të drejtë të gjyqësorit për këtë shkak sot është figura kryesore e Partisë Socialiste në Lezhë dhe kërcënon me jetë një deputet brenda radhëve të PD. Krimi nuk po ndahet nga Edi Rama. Ai po i përdor dhe po i armatos me pushtet politik dhe financiar ata, ndaj lidhja krim-para-pushtet mbetet e fuqishme tek Edi Rama”, u shpreh Basha.
Basha tha se kishte ngritur shqetësimet e opozitës në lidhje me procesin zgjedhor, ndërsa shtoi se opozita ndjehet e inkurajuar nga mesazhet e marra në këtë takim.
Top Channel