Për më shumë informacione në lidhje me vlerësimin e fundit të dhënë nga kompania e kreditimit Standard and Poor’s për Shqipërinë, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
TCH: Zoti Cani, cili pritet të jetë efekti i menjëhershëm i këtij vlerësimi dhe a mund të flitet për një rritje të optimizit të bizneseve për investime dhe rritje të kreditimit nga bankat?
Cani: “Në thelbin e vetë, ky vlerësim i përmirësimit të situatës ekonomike të vendit shprehet në shumë dimensione. Në radhë të parë tregon se situata makro-ekonomike është marrë nën kontroll dhe është në përmirësim; së dyti, është marrja e borxhit nën kontroll, përmirësimi i situatës lidhur me borxhin dhe krijimit të trajektores rënëse të tij. Janë shumë aktorë dhe faktorë në Shqipëri që bëjnë që ta vlerësojnë pozitivisht. Ju përmendët investitorët, që janë thelbi në jetën ekonomike shqiptare. Pse? Sepse ata kërkojnë një klimë pozitive dhe investojnë sot për dy, tre vitet e ardhshme. Ky raport, në thelbin e tij këtë vlerëson me nota pozitive për Shqipërinë. Kur klima e përgjithshme pritet të jetë në përmirësim rritet optimizmi, siguria dhe biznesi ka kosto më të ulët dhe fitim më të lartë. Ne gjatë vitit kemi pasur probleme, ka pasur vështirësi, por një nga institucionet ndërkombëtare më të rëndësishme ka dhënë notë kaluese”.
TCH: Ne presim së shpejti një vizitë të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, çfarë presim nga kjo vizitë? A është vlerësimi i “S&P” i lidhur me këtë vizitë?
Cani: “Kjo çështje është e lidhur me FMN-në sepse këto shoqëri klasifikimi të vlerës ekonomike në tërësi janë të lidhura me marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar. Por një element shumë i rëndësishëm që do të shoqërojë dhe takimin e ardhshëm do të jenë reformat strukturore. Në Shqipëri kalohet me debate pozitive dhe negative dhe nuk marrin ngjyrimin e duhur reformat. Por reformat strukturore kanë marrë vlerësime pozitive nga shoqëritë ndërkombëtare. Gjithashtu, në fokus do të jetë lufta kundër informalitetit, që është bazë e rritjes së të ardhurave të buxhetit të shtetit”.
Aktualisht Shqipëria i nënshtrohet vlerësimit financiar të dy kompanive, përveç Standards & Poor’s është edhe agjencia Moody’s, që mbikëqyr vendin tonë. Standard & Poor’s dhe Moody’s janë dy kompani private amerikane më të rëndësishmet në botë që merren me analizmin e tregjeve financiare të aksioneve, obligacioneve dhe bondeve shtetërore. Ato ofrojnë shërbime ndaj të tretëve duke bërë dhe vlerësime e parashikime.
Këto agjenci vlerësojnë kapacitetet e shlyerjes së kredive dhe rreziqet që mund të lindin. Ato mbledhin statistika të ndryshme mbi zhvillimet e një shteti si në rastin e Shqipërisë dhe bëjnë një vlerësim të gjithanshëm të kapaciteteve financiaro-ekonomike, por jo vetëm. Ato analizojnë edhe situatën juridike mbi titujt e pronësisë, fuksionimin e gjykatave dhe zbatimin e vendimeve të tyre.
Top Channel