Partia Demokratike akuzoi ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj se po spastron personelin shëndetësor nëpër rrethe pa patur më parë asnjë studim, referencë apo analizë.
Arsyen e këtyre shkurtimeve, opozita e lidh me afera korruptive.
“Thjesht e vetëm për të nxjerrë paratë që i duhet të ndajë për koncesionet qindra milionë euroshe të miqve të tij dhe të Edi Ramës. Nuk ka asnjë studim për shkurtimin e personelit mjekësor dhe jomjekësor, asnjë referencë apo analizë, asnjë konsultim. Këto shkurtime bëhen pa transparencë, në mënyrë tinzare”, deklaroi Gazment Koduzi, nëndrejtor i Departamentit të Shëndetësisë në PD.
Ajo që demokratët e quajnë “fshesa Beqaj”, sipas tyre po shkakton dramë sociale dhe po degradon edhe më tej gjendjen e spitaleve duke bërë të pamundur ofrimin e shërbimeve të specializuara.
Partia Demokratike dënon me forcë këto masa dhe mbështet protestat e infermierëve dhe personelit mjekësor, duke i inkurajuar ata që të mos tërhiqen përballë asaj që e quan “arrogancë të dyshes Rama-Beqaj”.
Opozita del edhe me një premtim për të prekurit nga shkurtimet e personelit shëndetësor në shkallë vendi.
“Do të kthehen në detyrë e do të rifitojnë dinjitetin e tyre, sapo qytetarët të na japin përgjegjësinë e drejtimit të vendit”, tha Koduzi.
Ky reagim i Partisë Demokratike mbërrin një ditë pas protestës së personelit shëndetësor të shkarkuar në Elbasan dhe Shkodër.
Top Channel