Afati i komisionit hetimor të serverit të tatimeve do të jetë një tjetër debat i nxehtë mes palëve politike, pas asaj të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në një kërkesë dërguar kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, opozita thekson se nuk do të lejojë në seancën parlamentare të 11 shkurtit diskutimin e asnjë çështje tjetër, pa u miratuar më parë me konsensus zgjatja e afatit të vepritmarisë së komisionit.
Komisioni hetimor për serverin e tatimeve, i ngritur me kërkesë të demokratëve, kishte një afat tre mujor, i cili përfundoi më 22 janar 2016, por pa përfunduar objektivin e tij. Për këtë opozita kishte kërkuar në komisioni shtyrje të afatit të veprimtarisë së tij, por që nuk është pranuar nga e majta. Kjo e fundit i kërkoi PD-së që të bënte kërkesën për ngritje nga e para e komisionit. Por për PD-në ky propozim do të hedhë poshtë punën e bërë deri tani, dhe se do të kërkonte burime njerëzore e financiare shtesë.
“Kjo praktikë është e rrezikshme për rezultatet e vetë hetimit, sepse sjell vonesa të panevojshme që mund të dëmtojnë vetë përfundimet e hetimit, si dhe i shkakton dëm financiar Buxhetit të Shtetit. Nëse Komisioni Hetimor do të ringrihej nga e para, atëherë do të duhej të përsëriteshin të gjitha veprimet procedurale që janë realizuar, të cilat sjellin një kosto të panevojsëhme në burimet njerëzore dhe financiare (pagesa e deputetëve për pjesërmarrje në mbledhje, për ushtrimin e detyrave që i kanë përmbushur edhe më parë!)”, thuhet në kërkesën e PD-së, që mban firmën e Edi Palokës. Madje PD shkon më tej se një qëndrim i tillë i maxhorancës cënon edhe marrëveshjen e 24 dhjetorit 2014 mes palëve.
Top Channel