Arsimi i lartë si pajë dhe plaçkë në diskursin politik

06/02/2016 00:00

Erion Delvina- Mes derës së pakapërcyer të Kuvendit dhe pragut të pashkelur të Gjykatës Kushtetuese, ngrihen këmbët e gurta të urës së komunikimit të heshtur që të mëdhatë e politikës po gatuajnë me kujdesin e konkurrentit në konkursin e gatimit të çudirave.

Sa herë që interesit publik i është dashur të gjendet përballë pjatave të tilla, në kujtesën ndjesore shija e mbetur ka qenë diçka mes të hidhurës dhe shumë të hidhurës. Dera e Kuvendit mbetet e pakapërcyer nga aktet ligjore ndryshuese, përmes të cilave mazhoranca garantonte përplotësimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Opinioni publik ende nuk njeh ndonjë draft-ndërhyrje paraprake, as ndonjë vullnet për rikonfirmim të nevojës për të rireflektuar mbi produktin e fund-korrikut të vitit 2015. Nga krahu tjetër, pragu i Gjykatës Kushtetuese, nga ç’kundër u premtua, mbetet i pashkelur nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, depozituesit e vetëzotuar të kërkesës për shprehje mbi kushtetueshmëri, të cilët ndanë publikisht bindjen në një kohë të shkuar për antikushtetushmërinë e nismës.

Aktet ligjore ndryshuese për Reformën e Arsimit të Lartë dhe kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë nuk e kanë gjetur ende derën e Kuvendit. Aktet nënligjore mbështetëse e përplotësuese nuk dihet nëse janë nisur të bluhen në mullinjtë ministror. Përshëndoshja e strukturës ligjore që, edhe pse paraprake, gëzoi mbështetjen e 78 deputetëve të mazhorancës mbetet ende e papërmbushur. Premtimi i Kryeministrit Rama, njëzërësh me zotimin e ministres së Arsimit dhe qëndrimin e diskutantëve të mazhorancës, se për shkak se koha do të ishte e mjaftueshme për të tjera ndërhyrje përmirësuese, qëndron e strukur nën retë e qiellit politik: fitorja bindëse dhe rikonfirmuese e mazhorancës qeverisëse në zgjedhjet lokale, shtrirja dhe zgjerimi praktik i reformës administrative dhe territoriale në njësite e reja të pushtetit lokal, Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore dhe afrimi i vitit zgjedhor, shiu i të cilave pritet të vazhdojë me qulljen e opinionit me harresë. Nuk përjashtohet që pa strehë, nën tërbimin e këtij moti, mund të mbeten edhe pedagogë e studentë.

Që prej 22 korrikut të gjysmëvitit të shkuar, koha, bashkë me qiellin, ka rrjedhur mjaftueshëm. Vetëtimat që shkëndijonin nga trupa e profesoratit universitar dhe gjëmimet e tarracës presidenciale, u dëgjuan pak. Kujtoj se dekreti i Presidentit për rrëzimin e ligjit të reformës nuk shkeli mbi vijën e votave të nevojshme, 71 prej të cilave rrëzuan vetë Dekretin. Në të tilla kushte (edhe atmosferike në qofshin, se politike po e po), le të shërbejë kjo ndërhyrje publike përmes radhëve të shkruara, as më pak e as më shumë se një çadër, për këdo që nevoja ia lyp një të tillë.

Pas pafuqisë së dekretit presidencial, opozicioni që pasoi, për nga gjurmët argumentuese që u shënuan në debatin publik mund të kategorizohen si vijon: mangësitë në frymën e ndërtimit të ligjit, jolojalitet i propozuesve dhe hartuesve në raport me grupet e interesit, klientelizëm dhe njëanshmëri në kapitullin e XII me IALPP-të, mosadresim i zgjidhjeve të problematikave aktuale të Arsimit të Lartë etj. Shoqëria civile, në të gjithë situatën e krijuar, mundi të artikulohej edhe për rrëzimin tërësor të konceptit dhe vetë aktit në fjalë. Maksimat “Reforma nuk kalon” dhe “Arsim Publik Falas”, në forma interesante, kapërcyen edhe në veshët më të mbuluar. Një grup studentësh u shfaq mediatikisht, dirigjuar nga një zë i mirëartikuluar. Pas përfshirjes në listat e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të kryeqytetit dhe kalimit të provës me sukses, edhe kryesuesi i këtij grupi u angazhua me teknikalitete partiake, duke braktisur çështjen që, për së pari, e ekspozoi mirë në sytë e publikut. Ndër të tjera, që rrokte edhe shqetësimin e teknicienëve, edhe të grupeve të interesit, edhe të zërave jashtëparlamentarë, u duk të ishte qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike, e cila, gjatë mbledhjes së Kryesisë premtoi depozitimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese. Pas kësaj, në kampin e saj politik, heshtja e akullt dimërore ngriu zellin për çështjen e Reformës së Arsimit të Lartë. Përjashto ndonjë radhë të artikuluar në sallat me të rinjtë garues për kryesinë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, çuarja e çështjes në Kushtetuese dhe opozicioni tërësor i ligjit u venitën.

Të mëdhatë e mazhorancës dhe qeverisjes janë të përbashkuara në heshtjen e gurtë të komunikimit ndërbregor, ngurosur në urën e mosveprimit. Disa pyetje, nisur nga këto rrethana, gjejnë vetiu shtegun dalës: Pse mazhorancës qeverisëse i është dashur thuajse një gjysmëvit për të sjellë ndryshime përmirësuese, për ecurinë e të cilave ka ende paqartësi? Kujtojmë se koha e marrë nga rrugëtimi prej draftit të parë në draftin përfundimtar të Arsimit të Lartë, pavarësisht vështirësive që ngërthente tema qendrore, ishte më e shkurtër. Mund të mos ketë asfare neglizhencë të fshehur pas detajit kohor, por mungesa e rikonfirmimit dhe e riangazhimit për përmirësimin e produktit 78-votësh ende nuk ka gjetur publicitet.

Nga ana tjetër: Pse Opozita, në sinkron me mazhorancën, lë të pezullt premtimin publik për depozitimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese? A do të ketë një shtjellim të vazhduar të përballjes mbi ligjin që, me hyrjen në fuqi sezonin e ardhshëm akademik, mbërthen pas vetes fatet e dhjetëra-mijëra studentëve që, sikundër shprehej foltorja zyrtare e Partisë Demokratike, supozoheshin të lënë në harresë?

Nga ç’mund të lexohet vagullt, konkludojmë se: Pragu i ndryshimeve përmirësuese do të mbetet i pakapërcyer për ligjin e Arsimit të Lartë, me gjasë edhe për disa kohë. Në varësi të asaj se çfarë njëri breg, nën urën për të cilën shkruam në hyrje, do t’i adresojë tjetrit. Në këtë pikë, vlen të thirret me plot zë, si të ishte një ritual primitiv e frikëlargues, sipas të cilit frikërat dhe ëndrrat e këqija duhen thirrur me zë të lartë për t’i larguar. Në këtë rast duhet vepruar kësilloj me parandjenjën se Arsimi i Lartë është paramenduar si plaçkë e ndërkëmbyeshme në Pazarin e të Mëdhave. A në mos si pajë në martesën e heshtjes. Fillimisht kur të mëdhatë të ulen mbi tavolinë, e pastaj nën të, për t’u thelluar në çështje që politika paramendon t’i trajtojë e për të cilat planifikon të paktojë. Pajtimi e paktimi i të mëdhave mbi teknikalitete djallëzore duket se e udhërrëfen diskursin politik për çështjet e Arsimit të Lartë drejt mosnxjerrjes krye nga thellësitë e pazareve të kripura e të lëngshme; shteg të cilin, jo rrallë të grackuara ngjashëm, kanë rrahur interesat madhore të komuniteteve të caktuara. Këtë herë qari e donte për studentë e pedagogë. Rreziku i nënsipërfaqes zien. Thellësitë oqeanike të nëntavolinave nuk kursejnë as zërat kundërshtues e mbrojtës për projektimin e ardhmërisë së brezave. Të vetmet çka sipërfaqja pritet të nxjerrë përmbi, do të jenë problemet e sjella nga rrjedhat e së shkuarës dhe devijimet e shtuara rishtas në funksion të së tashmes së arsimit universitar, të cilat kam ndërmend t’i cek në artikullin e ardhshëm. Deri atëherë, u shprishtë kjo mjegull dyshim-ndjellëse!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA